Lajme

Elezaj: Pres që Gjykata Themelore e Pejës të më ofroj siguri juridike


Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka deklaruar se dy herë nuk ka gjetur siguri juridike në Gjykatën Themelore të Pejës.

“Pres nga Gjykata e Apelit që t’i përmbahet standardit profesional të vendosur në aktvendimin e saj kur prishi aktgjykimin e parë të këtij trupi gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë”.

“Pres nga kjo gjykatë të na ofrojë siguri juridike, atë që dy herë nuk e gjeta nga i njëjti trup gjykues në Gjykatën Themelore në Pejë”, ka shkruar Elezaj në Facebook.

Ai ka thënë se pasi të pranojë vendimin me shkrim avokati i tij Kujtim Kërveshi do të paraqesë ankesë .

Ndërsa, ka shtuar se trupi i njëjtë gjykues në vitin 2020 gjeti arsye ta shpallë fajtor për vepër penale të konfliktit të interesit.

Gjykata Themelore e Pejës

Sipas tij ky trup sërish e ka shpallur fajtor për të njëjtën vepër.

“Por, tani nuk paska gjetur arsye të ma ndalojë ushtrimin e funksionit të detyrës në institucione publike. Po mendohem çfarë ndryshoi nga vendimi i datës 29 dhjetor 2020 nga ai sot? Ka ndryshuar vetëm fakti se sot gjykata, para se ta shpallë vendimin, ka pasur edhe dy deklarata më shumë dhe të dyja shfajësuese”, shkruan Elezaj në Facebook.

Ai pretendon se me provat që ka pasur gjykata është dashur ta lirojnë.

“Këtë vendim sot, pas rigjykimit, s’kam si ta kuptoj ndryshe, përpos si vendim i pastër politik, për fatin tim të mirë që afatet kohore nuk janë përshtatur me zgjedhjet lokale, se forca të errëta, që duket se e kanë prekur edhe gjykatën në Pejë, do ta shfrytëzonin këtë mundësi politike duke e vënë gjykatën në shërbim politik”, shkruan Elezaj.

Gjykata e Pejës e ka shpallur fajtor për konflikt interesi kryetarin e Klinës, Zenun Elezaj dhe e ka dënuar të njëjtin me 4 mijë euro gjobë.

Ndërsa sipas avokatit të Elezaj, Kujtim Kërveshi, trupi gjykues nuk e ka mbështetur aktgjykimin në asnjë provë dhe se ky dënim me gjobë nuk është i pranueshëm sepse sipas tij, Elezaj nuk ka kryer veprën penale me të cilën është shpall fajtor.

Kujtim Kërveshi

Kjo për arsye se Elezaj si Kryetar i Komunës së Klinës ka formuar komisionin për zhvillimin e procedurave për themelimin e marrëdhënies së punës bazuar në konkursin e publikuar me datë dy shkurt të vitit 2018, për pozitën “Mjek i praktikës së përgjithshme”, ku vajza e tij ka aplikuar në pozitën mjeke e praktikës së përgjithshme në QKMF.

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Zenun Elezaj, në raundin e dytë të Zgjedhjeve Lokale më 14 tetor siguroi mandatin në Klinë në katër vitet e ardhshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore