Lajme

Kryetari i Klinës dënohet me 4 mijë euro gjobë për punësimin e vajzës


Zenun Elezaj

Gjykata e Pejës e ka shpallur fajtor për konflikt interesi kryetarin e Klinës, Zenun Elezaj dhe e ka dënuar të njëjtin me 4 mijë euro gjobë.

Kjo për arsye se Elezaj si Kryetar i Komunës së Klinës ka formuar komisionin për zhvillimin e procedurave për themelimin e marrëdhënies së punës bazuar në konkursin e publikuar me datë dy shkurt të vitit 2018, për pozitën “Mjek i praktikës së përgjithshme”, ku vajza e tij ka aplikuar në pozitën mjeke e praktikës së përgjithshme në QKMF.

Ku pastaj komisioni në fjalë e ka përzgjedh vajzën e të pandehurit si më të suksesshmen duke e punësuar të njëjtën në pozitën ku ka aplikuar.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer vepër penale konflikt interesi nga neni 422 par.1 të KPRK-së

“Të pandehurit gjykata i shqiptoj dënimin me gjobë në shumë prej katërmijë euro, të cilin dënim obligohet ta paguaj në afat prej gjashtë muaj, nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Nëse i pandehuri, dënimin me gjobë nuk e paguan brenda afatit të caktuar atëherë, të njëjtit dënimi me gjobë do t’i shndërrohet në dënim me burg, duke ju llogaritur një ditë burgu për çdo njëzet euro të gjobës”, thuhet në njoftim.

 

Gjykata Themelore e Pejës

Gjykata ka vlerësuar propozimin e prokurorisë për shqiptimin e dënimit plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve. Prandaj gjykata, bazuar në veprën penale që i vihet në barrë dhe dënimin e shqiptuar të pandehurit, faktin se vajza e tij tanimë nuk punon në atë pozitë dhe nuk ka arsye se mund të pritet përsëritja e veprës, nuk ka shqiptuar dënimin plotësues të propozuar.

Ndërsa sipas avokatit të Elezaj, Kujtim Kërveshi, trupi gjykues nuk e ka mbështetur aktgjykimin në asnjë provë dhe se ky dënim me gjobë nuk është i pranueshëm sepse sipas tij, Elezaj nuk ka kryer veprën penale me të cilën është shpall fajtor.

“Trupi gjykues në rigjykim i ka dëgjuar dy dëshmitarët sipas sugjerimit të Gjykatës së Apelit dhe dëshmitë e dy dëshmitareve kanë qenë shfajësuese për Elezaj. Si mbrojtës nuk mund ta pranoj standardin e vendosje së këtij trupi gjykues”, ka shkruar Kërveshi në Facebook.

Kujtim Kërveshi

Ndryshe Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Zenun Elezaj ka fituar të drejtën për ta udhëhequr komunën e Klinës edhe për një mandat tjetër në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të 17 nëntorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore