Shqipëria

Edi Rama është euroatlantik, me kë janë Kurti e Vuçiç?


Kur në shtator 2021, ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, erdhi në Tiranë në një përpjekje për të ringjallur procesin e Berlinit dhe për të përshpejtuar anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, kryeministri Edi Rama deklaroi se “në historinë e Ballkanit, Merkel vendosi një moment historik edhe për brezat e ardhshëm”.

Askush nuk ka bërë më shumë se ajo që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore dhe askush nuk e ka kuptuar këtë rajon më mirë se ajo”, do të deklaronte ai.

Sipas kancelares, anëtarësimi i gjashtë vendeve lindore në bashkësinë evropiane ishte një prioritet absolut gjeopolitik për të siguruar rajonin nga ndikimet ruse dhe kineze.

Por, me gjithë deklaratën e bërë, kjo edhe për faj të saj ndër vite, projekti i procesit të Berlinit kish mbetur në vend, i ngrirë.

Në vend të tij, SHBA-të më fort dhe BE-ja me deklarata të zbehta, mbështetën Open Balkan, një projekt më modest integrimi midis vendeve të rajonit, që i vinte ata bashkë përmes tregtisë dhe lëvizjes së njerëzve dhe mallrave.

Dje kryeministri Edi Rama, në një intervistë për Euronews, deklaroi se Open Balkan e ka përmbushur funksionin e tij dhe tashmë duhet të futemi me kokë në projektin e integrimit evropian të Procesit të Berlinit, procesi që ishte synimi i humbur i kancelares gjermane.

Sipas asaj që Rama deklaroi, në tetor, Konferenca Ballkanike që rifillon rrugën e Projektit të Berlinit, rinis nga Tirana dhe Brukseli i beson kryeministrit shqiptar detyrën e menaxhimit të saj.

Le të themi në kllapa, se sot përvoja qeveritare e asaj që ka qenë kancelarja më jetëgjatë dhe më e rëndësishme në politikën evropiane të 15 viteve të fundit, duket më pak pozitive se ç’u mendua dhe lëvdua në të shkuarën.

Merkel la një Gjermani me një ekonomi të ndjeshme ndaj krizave aktuale, bllokoi rrugën e Turqisë drejt BE-së, lejoi, me francezin Macron, tetë vjet konflikt në Donbass, aneksimin e Krimesë dhe, në fund, edhe pushtimin e Ukrainës.

Një krizë që ka nxjerrë në pah edhe gabimin e bërë duke e vendosur Evropën të varur nga gazi rus me ndërtimin (gjithmonë të kundërshtuar nga SHBA-të) të gazsjellësit Nord Stream.

Madje edhe projekti i saj i fundit, ai i integrimit të shpejtë evropian të Ballkanit nëpërmjet Procesit të Berlinit mbeti në vend e nuk arriti të marrë jetë.

Open Balkan, me sa duket, qartësisht pati synim pikërisht vajosjen e ingranazheve të atij projekti, por mos anëtarësimi i Kosovës kryesisht dhe kriza e përshkallëzuar mes Kosovës dhe Serbisë, ka dëmtuar rezultatin përfundimtar.

Askush nuk e kishte menduar se duke filluar nga refuzimi i atij anëtarësimi, kryeministri Albin Kurti do të ndizte fitilin që shpërtheu me krizën zgjedhore në komunat me shumicë serbe dhe vazhdoi me atë aktuale, tejet serioze, në marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës, Beogradit, por edhe Brukselit dhe Washingtonit.

Është jo vetëm paradoksale, por dhe irracionale që nacionalizmi paranojak i Kurtit e ka futur Kosovën në një rrugë përplasjeje me shtetin amë, Shqipërinë, fajtore se drejtohet nga një kryeministër i rreshtuar me Perëndimin në një perspektivë pro-atlantike dhe pro-evropiane.

Kështu që, edhe pse shqiptarët duken më shumë të ndarë pro a kundër, në duart e Edi Ramës vjen një trashëgimi shumë komplekse, e cila ndërthur nderin e rolit të bashkëbiseduesit të privilegjuar politik të Perëndimit në Ballkan, me barrën e një detyre që rezulton shumë e mundimshme, që nëse do ta thoshim sot në një fjali me titull filmi, duket të jetë “Mission: Impossible”.

Albin Kurti nuk kuptohet pse po e shtyn vendin e tij në një tunel që e distancon atë nga SHBA-të dhe BE-ja dhe përkeqëson izolimin e saj politik ndërkombëtar  nga i cili është e vështirë të imagjinohet se cila mund të jetë strategjia e daljes.

Cili është qëllimi i ndjekur nga Kurti me politikën e tij paranojake, destabilizuese dhe izoluese është vërtet një pyetje pa përgjigje.

Të mendosh sot për të zëvendësuar perspektivën evropiane me një tjetër që shikon drejt anti-perëndimores, anti-amerikanes, që konvergon me interesat e Federatës Ruse gjithnjë e më të izoluar dhe të destabilizuar, duket thjesht çmenduri.

Si mund veç të supozojë Albin Kurti dhe mbështetësit e tij, që Kosova mund të mbijetojë pa financimet e programeve perëndimore dhe mbrojtjen e kontingjentit të NATO-s?

Vërtetë beson se Rusia dhe Kina mund të zëvendësojnë Washingtonin dhe Brukselin?

Dhe çfarë përfitimesh do të kishte populli i Kosovës nga kjo politikë?

Nëse lufta në Ukrainë i ka bërë vendet evropiane më të bashkuara në vendimin për zgjerimin e unionit me vendet në Lindje, politika kosovare dhe ajo jo më pak armiqësore ndaj marrëveshjes e Vuçiç-it, e bëjnë Open Balkan një projekt në mbyllje dhe Procesin e Berlinit edhe një herë jo më pak të komplikuar.

Presidenti Vuçiç tha realisht që nuk mund ta besonte që kryeministri Edi Rama vërtet ka shpallur fundin e Ballkanit të Hapur.

Ai po ashtu shprehu mospajtimin e tij me qëndrimin e Ramës, që tani duhet futur me kokë e këmbë në Procesin e Berlinit.

Por, ky i fundit, e ka shpallur ‘mortin’ e Ballkanit të Hapur dhe është përcaktuar me të gjithë energjinë dhe potencialin e tij për Procesin e Berlinit.

Ajo që Vuçiç në Serbi, por edhe Kurti në Kosovë, nuk e kanë të qartë, është që Edi Rama nuk merr vendime bazuar në emocione dhe pëlqime personale. Ai është shtetar që vendos dhe vepron bazuar ekskluzivisht në interesin kombëtar të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, kudo që ata të jetojnë.

Dhe po, Ballkani i Hapur e ka përmbyllur misionin e vet. Për dallim nga viti 2018, Evropa tani është më e përkushtuar ndaj rajonit, madje shumë më e përkushtuar. Dhe, natyrisht që Shqipëria, si anëtare e përgjegjshme e komunitetit euro-atlantik, nuk do të ngurrojë që me kokë e këmbë të bëhet pjesë e këtij përkushtimi.

Fundja, Shqipëria nuk ka dilema strategjike. Ne jemi dhe do të vazhdojmë të jemi pjesë e botës perëndimore.

Në vend që të na mbajë leksioni mbi vlerën e ideve autoktone e autonome nga Perëndimi, Vuçiç duhet t’ia përkujtojë vetes disa fakte themelore.

Serbia nuk mund të ketë marrëdhënie normale me Shqipërinë nëse vazhdimisht ngurron që ta bëjë hapin vendimtar të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Para planit franko-gjerman, teoritë e Vuçiç ishin tërësisht legjitime, por tani që Serbia është dakordësuar për planin franko-gjerman, zvarritja e normalizimit është fyerje për Shqipërinë.

Dhe tjetra, Serbia nuk mund të ketë marrëdhënie normale me Shqipërinë, por edhe me vendet tjera të rajonit, nëse vazhdimisht armatoset.

Për kë po i blen ato armë Serbia? Kush është armiku?

Shqipëria është vend paqësor e dashamirës. Shqiptarët janë të sinqertë, ndonjëherë deri në naivitet, por kjo nuk do të thotë a nënkuptojë ‘trutharë’.

Vuçiç, por edhe kipci i tij politik Albin Kurti, kanë vetëm një detyrë: ta qetësojnë rajonin. Dramat e tyre janë bërë tepër të rrezikshme.

Rama duhet të shpresojë që Kurti të tregohet së shpejti më i arsyeshëm nga sa duket sot, ose që Evropa të ketë ndonjë armë sekrete përmes së cilës të mund ta bindë atë të ndryshojë kursin që ka marrë.

Një gjë është e sigurt, deklarata e Ramës për ezaurimin e funksionit të Open Ballkan hap vërtetë rrugën e rinisjes për projektin e vjetër te Kancelares, por shkon më tutje.

Vë në dukje jo vetëm rolin e tij si fytyra filo-evropiane e Ballkanit, por edhe linjëzimin e politikës së Washingtonit me BE-në në lidhje me rajonin dhe krizën Kosovë Serbi, me SHBA-të në rolin e garantit dhe atë të BE-së si mediator i fuqishëm në dialog.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore