Kosova

Edhe një person tjetër ndalohet për rastin e dhunimit të 11-vjeçares


Protesta në Prishtinë kundër rasteve të dhunës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se është ndaluar edhe një person tjetër për rastin e dhunimit të 11 vjeçares.

Për të njëjtin është thënë se po dyshohet se ka kryer veprën penale “ndihmë” në kryerje të veprës penale të dhunimit, teksa masa e paraburgimit ndaj tij është caktuar për 48 orë.

“Iu njoftojmë se Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, në gjykatën kompetente”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Ky është personi i 12 që është arrestuar lidhur me rastin e 11 vjeçares.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, përmes një konferencë për media të hënën e 5 shtatorit kishte raportuar kronologjinë e rastit për të miturën 11 vjeçare e cila është dhunuar nga pesë persona në muajin gusht, ndërkaq në muajin qershor e mitura ishte trafikuar dhe dhunuar nga 6 persona të tjerë.

Sipas Ulaj, prokuroria ka qenë e angazhuar që nga raportimi i rastit në muaji qershor, por që ka pasur mungesë të psikologes dhe vonim të telefonit të së miturës që ishte dërguar për ekzaminim në Forenzikë.

Për rastin në fjalë nga 21 qershori, prokurorit i janë dashur 16 ditë për të intervistuar të miturën.

Më 3 shtator, Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes një komunikate për media, ka kumtuar lajmin se janë arrestuar gjashtë persona të tjerë, të cilët dyshohen se janë të përfshirë në rastin e qershorit, ku 11 vjeçarja që u dhunua të shtunën e 27 gushtit ishte raportuar si person i zhdukur.

Në muajin gusht është protestuar në Prishtinë nga mijëra qytetarë për dy herë radhazi.

Ndërkaq, për këtë rast është shkarkuar drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, Ali Gashi.

11-vjeçarja u raportua se ishte dhunuar në Prishtinë nga 5 burra për 7 orë. Për rastin e saj kanë reaguar qytetarë, aktivistë, figura të njohura e politikanë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore