Sport

E shtuna në La Liga, Madrid-i për titullin


Humbja e Barcelonës në “Camp Nou” përballë Granada-s të enjten ndryshoi gjithë rrjedhën në La Liga.

Atletico mbeti lider, Real-i mbeti përpara për shkak të ndeshjes direkte, kurse Sevilla befasisht, u përfshi në luftën për titull.

Kur kanë mbetur edhe pesë javë deri në fund të kampionatit, katër skuadra janë në garë të ashpër për trofeun.

Sot në ditën e parë të majit, në javën e 34-të të La Liga-s, në aksion vijnë dy nga katër skuadrat pretendente për titull, ato të kryeqytetit.

E para luan Atletico Madrid, e cila është mysafire e Elche-s që bën pjesë në luftën tjetër të ashpër në Spanjë, atë të mbijetesës.

Në vendin e 18-të, Elche është vetëm një pikë larg zonës që e shpëton nga rënia, dhe për “Rojiblancos”, kjo vizitë nuk pritet të jetë fare e lehtë.

Ndeshja e parë e sezonit përfundoi me fitoren e Atletico-s, 3-1.

Real Madrid-i në anën tjetër, luan në mbrëmje përballë Osasuna-s.

Në ndeshjen që zhvillohet në “Alfredo di Stefano”, përveç titullit, madrilenët duhet të mendojnë edhe për ndeshjen e kthimit në Champions.

Madrilenët janë 18 ndeshje të pamposhtur në të gjitha garat, por ata kanë barazuar katër nga pesë duelet e fundit.

Edhe ndeshja e parë e sezonit në Pamplona mes Real-it dhe Osasuna-s, përfundoi me rezultat 0-0.

Carvajal, Lucas, Mendy, Ramos dhe Valverde mungojnë te madrilenët, kurse Ruben është mungesa e vetme për mysafirët.

Këta të fundit kanë siguruar mbijetesën dhe nuk kanë shpresë për Evropën, ndeshjet e mbetura i luajnë thjesht për statistikë.

Përveç luftës për titull, La Liga sot sjellë edhe dy duele:

Eibar – Alaves, 14:00

Huesca – Real Sociedad, 18:30

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore