Përballje

E mërkura në Superligën e Kosovës në futboll vjen me tri ndeshje interesante, në vëmendje “Derbi i Anamoravës”


Xhiro e 33-të në Superligën e Kosovës në futboll do të luhet këtë mesjavë, me ditën e mërkurë që do të zhvillohen tre ndeshje me fillim nga ora 15:00.

Vëmendja kryesore do të jetë në stadiumin e qytetit të Gjilanit, ku do të zhvillohet “Derbi i Anamoravës” mes Gjilanit dhe Dritës.

Dy skuarat e qytetit të Gjilanit, gjithmonë kanë pasur një rivalitet të ashpër mes njëra-tjetrës, andaj edhe këtë radhë pritet të jetë e njëjta gjë.

Kjo ndeshje, mbase më e vlefshme do të jetë për Dritën të cilët janë duke luftuar në një garë të ashpër me Prishtinën dhe Ballkanin për titullin kampion, kurse në anën tjetër Gjilani nuk ka ambicie në këtë edicion.

Drita aktualisht gjendet në vendin e dytë në tabelë, të cilët pas 32 ndeshjeve, kanë grumbulluar 68 pikë, një më pak se Prishtina e vendit të parë dhe një më shumë se Ballkani i vendit të tretë.

Në anën tjetër Gjilani pozicionohet në vendin e katërt në tabelë me 47 pikë, të cilët nuk kanë asnjë objektivë për këtë sezon.

Trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi, nuk do të mundë të llogarisë në këtë takim: mbrojtësin Ivan Fustar, mesfushorin Keita Aziz dhe sulmuesit Keita Razak, Darko Nikaç dhe Tomislav Busiç.

Kurse homologu i tij, Ardian Nuihu, nuk pritet të ketë mungesa për këtë sfidë shumë të vlefshme.

Në tri ndeshjet e para të këtij sezoni mes tyre, Intelektualët kanë fituar dy takime, kurse njëri prej tyre përfundoi në barazim pa gola.

Ndeshje tjetër interesante do të zhvillohet në qytetin e Drenasit, aty ku Feronikeli do të ndeshet me Trpepçën’89, në duelin direkt që do të diskutohet për mbijetesën në Superligë, për sezonin e ardhshëm.

Për Feronikelin, kjo do të jetë ndeshja e parë pa Klodian Duron, i cili është shkarkuar nga posti i trajnerit dhe në vend të tij është emëruar Faruk Elshani dhe interesant është fakti që pikërisht kundër Trepçës’89 kishte debutuar edhe tani më ish-trajneri, Duro.

Feronikeli aktualisht mban pozitën e tetë në renditje me 35 pikë të grumbulluara në 32 ndeshje, teksa në pesë përballjet e fundit kanë arritur të marrin vetëm një pikë.

Nga ana tjetër, Trepça’89 është në vendin e shtatë në tabelë me një pikë më pak se kundërshtari i sotëm, teksa në këtë ndeshje vijnë pas atij barazimit dëshpërues ndaj Besës së vendit të fundit.

Në tre duele të luajtura këtë sezon mes tyre, janë dy barazime pa gola dhe një fitore e Feronikelit me rezultatin 2:0.

Ndeshja tjetër ditës së mërkurë, do të zhvillohet në qytetin e Pejës, aty ku Besa e pret Prishtinën.

Besa e cila tashmë zyrtarisht ka rënë nga Superliga, do të pretë kryeqytetasit të cilët pozicionohen në vendin e parë në tabelë.

Njëkohësisht ky do të jetë dueli mes dy skuarava më të trofeshme të futbollit kosovar që nga paslufta.

Në tre përballjet e këtij sezoni ka fituar skuadra e Prishtinës, madje më një gol dallim prej 11:1.

Bardhekaltërit po kalojnë formë të mirë në javët e fundit, ku në pesë ndeshjet e fundit ka arritur po aq fitore, ndërsa Besa në pesë takimet e fundit, ka humbur 3 herë dhe ka barazuar dy, ku befasoi edhe Dritën.

Java e 33-të në Superligën e Kosovës në futboll do të mbyllet të enjten me dy ndeshje:

Ballkani – Arbëria

Drenica – Llapi

Përndryshe duke nisur nga vikendi e në vazhdim të gjitha duelet e Superligës së Kosovës do të luhen me orar të njëjtë, duke filluar nga ora 15:00 ditëve të diela.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore