Lajme

Dyfishohet migrimi ilegal nga Ballkani Perëndimor, sipas Frontex


Ballkani Perëndimor po kthehet dalëngadalë në rrugën më të përdorur për kalimin ilegal të emigrantëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian, ku raportimet e fundit nga Agjencia për Mbrojtjen e Kufitare dhe Bregdetare Evropiane (FONTEX), tregojnë shifra të dyfishuara sa i përket rajonit në këtë fillimvit.

Konkretisht, gjatë dy muajve të parë të vitit, ka pasur 11 mijë e 700 kalime ilegale emigrantësh vetëm nëpërmjet rrugës ballkanike.

Nëse krahasohen shifrat me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, statistikat tregojnë thuajse një dyfishim në këtë rrugë.

Vetëm gjatë muajit shkurt, ka pasur 5 mijë e 700 kalime të jashtëligjshme drejt kufijve të Bashkimit Evropian nga Ballkani Perëndimor.

Kjo është edhe shifra më e lartë mes të gjitha rrugëve të kalimit, madje me ndryshore shumë të madhe.

Rruga e dytë më e kaluar është ajo nga Afrika Perëndimore, me 2 mijë e 300 kalime. Pra, rreth gjysma e kalimeve në krahasim me rrugën ballkanike.

Evropa Mesdhetare ka parë 1 mijë e 500 kalime. Ajo e Mesdheut Qendror, po ashtu, 1 mijë e 500. Nga ana tjetër, Mesdheu Perëndimor është në shifra të ulëta me 700 kalime dhe rruga e njohur si “kanali”, me 600 të tilla.

Në tërësi, sipas raportimeve nga “Schengenvisa info”, kalimet vetë janë rritur me 61% krahasimisht me një vit më parë.

Mendohet se rol mbi këtë ka luajtur edhe zbutja e efekteve të pandemisë, e cila mund të ketë sjellë një neglizhencë më të madhe në kalimin e kufijve.

Gjithsesi, në skemë, nuk janë përfshirë kalimet për shkak të luftës në Ukrainë, pasi aty bëhet fjalë për raste shumë specifike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore