Shqipëria

Durrës/ Sekuestrohen armë, bimë narkotike dhe materiale për kultivimin e tyre


Policia e Durrësit ka zbuluar dy ambiente, të cilat dyshohet se shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.

Në pranga ka rënë shtetasi E.K., ndërsa po procedohet penalisht edhe një punonjës policie, me detyrë Ndihmës Specialist i Policisë së Zonës (SPZ).

Blutë e Durrësit bëjnë me dije se, si rezultat i operacionit policor të koduar “Led”, në fshatin Hardhishtë të Njësisë Administrative Gjepalaj, Shijak, në një vilë dhe në një ambient (stallë), janë gjendur dhe sekuestruar në cilësinë e provës 186 gramë lëndë narkotike cannabis sativa, 360 fara cannabis sativa, dy armë zjarri tip pushkë, 140 fishekë luftarak, dy aspiratorë, 15 llamba, 15 llamba me reflektor, 13 droslera, 10 reflektorë dhe dy automjete.

I arrestuari E. K., 32 vjeç, sipas Policisë, ishte dhe poseduesi i këtyre ambienteve. Ndërsa, shtetasi A.S., u procedua penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Sakaq, materialet kanë kaluar për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore