Shqipëria

Droga në kontenierin e ‘Alba Exotic Fruit’, GJKKO i jep SPAK-ut 3 muaj afat


Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) i ka dhënë tre muaj afat Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për të hetuar trafikun e kokainës të kapur në kontenierët e kompanisë Alba Exotic Fruit që sollën banane në Shqipëri.

Afati është përcaktuar deri më 13 tetor 2022, pasi sipas SPAK-ut po pret letër-porosi nga Holanda dhe Ekuadori. Për këtë aktivitet kriminal janë ndaluar dy vëllezërit Eduart Dauti dhe Bajron Gumeni.

Më 9 prill GJKKO la në burg administratorin e “Alba Exotic Fruit”, Eduart Dautin i akuzuar për prodhim dhe shitje narkotikësh.

Në kuadër të operacionit të nisur më datë 13 korrik në Portin e Durrësit, nga Task Forca permanente autoritetet doganore të Portit, gjatë kontrolleve, në kontejnerët e firmës “Alba Exotic Fruit”, në disa raste, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuara narkotike të llojit kokainë.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) e ka sekuestruar tashmë kompaninë “Alba Exotic Fruit”.

Kjo, sepse në kontejnerët e saj janë gjetur gjashtë herë kokainë.

SPAK e akuzon kompaninë për veprat penale, “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim të veçantë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Në tetor të vitit të kaluar, Policia e Shtetit njoftoi se u sekuestruan 10 kilogramë e 185 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.

Sasia tjetër e sekuestruar është ajo e 7 shtatorit, ku bëhej fjalë për 7.7 kilogramë kokainë.

Më 13 korrik 2021, 11 kilogramë kokainë u gjetën brenda një kontejneri, të kësaj firme, në Portin e Durrësit.

Në atë kohë u arrestua në flagrancë shtetasi B. G., menaxheri i firmës dhe u shpall në kërkim administratori i firmës, shtetasi E. D.

“Kontejneri i ngarkuar me banane kishte ardhur nga Ekuadori, për llogari të kësaj firme, ku në pjesën fundore të kapakëve të motorëve frigoriferike, u gjetën dhe u sekuestruan 8 pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë”, njoftoi policia në atë kohë.

Kokainë në kontejnerë

Në muajin korrik një seri ngarkesash kokaine u kapën në Portin e Durrësit të fshehura në kontejnerë kryesisht të ardhur nga vendet e Amerikës Latine.

Rasti shënon të dytin brenda një muaji, ku më datë 6 gusht në vijim të operacionit policor, i koduar “Urbanor”, u arrestua në flagrancë shtetasi D. D., 35 vjeç, administrator i firmës ku do të mbërrinte kontejneri.

Përkatësisht u sekuestrua një sasi rreth 7 kilogramë lëndë narkotike, e dyshuar kokainë.

Po ashtu, në fillim të qershorit, u sekuestruan 613 kilogramë kokainë në kontejnerët e firmës “Arbër Garden”.

Teksa vetëm në kuadër të kompanisë “Alba Exotic” është hera e tretë që kryhen operacione të këtij lloji, në të cilat janë sekuestruar sasi të konsiderueshme kokaine, muajt e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore