Shqipëria

Rrëfimi për frutat “narkotike”


Më 13 korrik 2021, 11 kilogramë kokainë u gjetën brenda një kontejneri, i cili u kontrollua nga një aksion policor në Portin e Durrësit.

Dhjetë ditë më pas, më 23 korrik 2021, gjashtë kilogramë të tjerë u zbuluan në një kontejner të ardhur po në Portin e Durrësit.

Ajo që ndodh dy ditë më parë në portin e Durrësit është sa e çuditëshme, po aq dhe e pabesueshme.

Të dy kontejnerët ishin të ngarkuar me fruta ekzotike me prejardhje nga Amerika e Jugut. Mbi të gjitha, të dy, i përkisnin kompanisë “Alba Exotic Fruit”.

Barjon Gumenit, menaxherit të kompanisë në fjalë, iu caktua masa e “Arrest-it me burg”, më 16 korrik, nga Gjykata e Durrësit.

Por, kjo nuk është hera e parë që këto emra, kalojnë në rrjetën e policisë dhe të drejtësisë.

Në vitin 2019, përkatësisht prej gushtit, katër kontejnerë me banane nga Ekuadori dhe me vendmbërritje përfundimtare Shqipërinë, u mbajtën të bllokuar në Durrës.

Nga DEA amerikane, kishte një indicie të qartë: “Në ato ‘hangarë’, përtej bananeve, ka 137 kilogramë kokainë”.

Kompania? “Alba Exotic Fruit”!

Vendimarrja e operacionit policor të koordinuar midis palës shqiptare dhe asaj greke ishte e qartë: Kokaina do të zëvendësohej në portin e Pireut me pako orizi. Tek njëra do të futej GPS-ja për përgjim dhe tjetra do të lihej me lëndën narkotike, për të futur në kurth trafikantët.

Pikërisht kështu ndodhi. Në pranga në atë kohë, ranë shtetasit Ardian Bega dhe Altin Myslihaka. Të dy këta, pritës të ngarkesës me frutat “narkotike” në portin e Durrësit. Në kërkim u shpall një i tretë, Gentian Malindi, i cili kishte për detyrë të merrte Began dhe Myslihakan nga porti.

Gjykimi i çështjes u shty në kohë dhe vetëm në 29 qershor 2021, Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, do të kërkonte në tërësi 20 vjet burg për Began dhe Myslihakën.

Gentian Malindi, në atë kohë i shpallur në kërkim, është ende në arrati nga Policia. Mbi të, asnjë vendim gjyqësor, pasi mbetet i pezulluar deri në kapjen e tij.

Janë vetëm dy, javët e diferencës ndërmjet dënimit të dhënë ndaj dy pritësve të drogës dhe kapjes së sasisë së radhës.

Një korrik i vitit 2021, në të cilin emri i “Alba Exotic Fruit”, jo vetëm që është përmendur, por ka qenë epiqendër e diskutimeve mbi trafikun e drogës.

Një diskutim i nisur dy vjet më parë dhe ende i papërfunduar në tërësi.

Kjo kompani, edhe pse e kapur tre herë me sasi të konsiderueshme kokaine, vijon aktivitetin e saj. Asnjë vendim nuk ka as sot, mbi aktivitetin që zhvillon. Aq më pak pezullim!

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore