Përballje

Drenica mposht në udhëtim Dukagjinin, Trepça’89 barazon me Ferizajn


Janë zhvilluar edhe dy ndeshjet e fundit të javës së shtatë në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll.

Drenica ka shënuar fitore të madhë në këtë xhiro, duke e mposhtur në udhëtim skuadrën e Dukagjinit me rezultat 1:2.

Mysafirët e nisën mirë ndeshjen dhe rezultatin e zhbllokuan në minutën e 12-të me anë të Bintsouka.

Gjashtë minuta para se skuadrat të shkonin në pushim, Drenica shënoi edhe golin e dytë të ndeshjes me anë të Vojvodës.

Pjesa e parë përfundoi me epërsi të dyfishtë të ekipit nga Skenderaj, derisa në fillim të së dytës Dukagjini reagoi duke barazuar rezultatin me Otto John.

Në vazhdim, skuadra vendase nga Klina u mundua ta barazonte rezultatin, por hasi në një mbrojtje të mirë organizuar.

Kjo ishte fitorja e dytë e Drenicës në këtë edicion, që edhe me dy barazime ngritët në vendin e pestë me tetë pikë të grumbulluara, derisa Dukagjini gjendet në një krizë të vërtetë, ku në shtatë ndeshjet e para numëron vetëm dy barazime dhe pesë humbje.

Në ndeshjen tjetër, Trepça’89 barazoi me rezultat 1:1 ndaj Ferizajt.

Ky takim pati një fund dramatik, pasi që në minutën e 81-të mysafirët nga Ferizaj shënuan golin e parë të ndeshjes me anë të Drilon Sadikut.

Por, reagimi i vendasve të Mitrovicës erdhi në minutat shtesë, kur Armend Gashi barazoi rezultatin.

Me këtë barazim, dyja skuadrat ndajnë vendet shtatë dhe tetë, ku Ferizaj ka shtatë pikë, ndërsa mitrovicasit një pikë më pak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore