Kosova

Haradinaj i pavendosur për ftesën e Kurtit për takim


Ilustrim: Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka vendosur ende a do të pranojë apo jo ftesën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për një takim ku të ftuar do të jenë edhe Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, ndërsa ka konfirmuar për Albanian Post ftesën e kryeministrit drejtuar kryetarit Ramush Haradinaj, ka potencuar se “sa i përket pjesëmarrjes, jemi ende në shqyrtim”.

“Mund të ju konfirmoj që kryetari Ramush Haradinaj bashkë me drejtuesin e grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, kanë pranuar ftesë nga z. Kurti për takim, të hënën në ora 18:30. Ndërkaq, sa i përket pjesëmarrjes, jemi ende në shqyrtim”, ka thënë Xhemaili për Albanian Post.

Ndonëse Xhemaili nuk ka dhënë detaje shtesë për arsyen e takimit ose për temën që pritet të diskutohet, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, të shtunën ka potencuar se takimi i cili pritet të mbahet të hënën ka për synim koordinimin me opozitën për agjendën e sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës.

Mediat në Kosovë raportuan të premten se Kurti, i ka ftuar në një darkë pune liderët e tri partive parlamentare opozitare për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sezonin pranveror.

Në letrën të cilën Kurti ia ka dërguar liderëve opozitar theksohet se se takimi është paraparë të mbahet të hënën më 13 maj në orën 18:30 në një nga hotelet e kryeqytetit.

Sikur AAK-ja edhe PDK-ja e LDK-ja nuk e kanë konfirmuar ende pjesëmarrjen.

Albanian Post gjatë ditës ka tentuar t’i kontaktojë PDK-në dhe LDK-në, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka arritur të marrë përgjigje.

Hoti thotë se Kurti ka kërkuar takim me liderët e partive opozitare

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore