Lajme

Drejtori i Policisë së Kosovës: Në Veri u angazhuan mbi 1 mijë zyrtarë policorë


Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazemend Hoxha.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazemend Hoxha, gjatë raportimit në Komisionin për Siguri për sfidat dhe sukseset që e kanë shoqëruar Policinë e Kosovës gjatë vitit 2022, ka deklaruar se njëri ndër problemet më të mëdha që kanë pasur si institucion i sigurisë ka qenë situata në Veri dhe menaxhimi i saj.

Hoxha, ka potencuar se viti 2022 nga policia ka qenë i fokusuar në “rendin dhe ligjin”, në komunat veriore.

“Gjatë vitit 2022, aktivitet policore kanë pasur në fokus rendin dhe ligjin në komunat veriore të Kosovës, ku kemi pasur bllokim të rrugëve përmes barrikadave, aktiviteteve penguese ndaj zyrtarëve policore por edhe aktiviteteve të tjera kriminale”.

Si sukses, ai e ka konsideruar që ka qenë mbyllja e rrugëve ilegale në Veri.

“Janë mbyllur rrugët ilegale të cilat janë shfrytëzuar nga strukturat kriminale për aktivitetet e kontrabandës ndërkufitare, në atë zonë ne kemi rritur edhe kapacitetet tona”, ka thënë ai.

Ndërsa, sfida më e vështirë ka thënë se ka qenë dorëheqja e zyrtarëve policorë, veçanërisht të atyre të komunitetit serb.

“Gjatë vitit që kaloi kemi pasur edhe rritjen e numrit të dorëheqjeve të zyrtarëve policorë, në veçanti nga pjesëtaret e komunitetit serb ku 575 zyrtarë policorë kanë dhënë dorëheqje në stacionet policore në komunat në Veri të Kosovës”.

Por, për zëvendësimin e këtyre zyrtarëve policorë ai ka thënë se kanë angazhuar “1 mijë e 200 zyrtarë policorë”.

“Ne jemi angazhuar maksimalisht për të plotësuar vakumin e shkaktuar nga këto dorëheqje përmes angazhimit shtesë të mbi 1 mijë e 200 zyrtarëve policorë me qëllim të zbatimit të urdhrave”.

Ndër të tjera, Hoxha ka thënë se ka pasur edhe sulme ndaj njësive policore, përfshirë këtu lëndime edhe plagosje të zyrtarëve policorë.

“Kemi pasur edhe sulme nga grupe kriminale ndaj njësive policore, meqë rast kemi pasur edhe lëndime, plagosje të zyrtarëve policorë”.

Ai ka shtuar se, “për të përmbushur të gjitha këto obligime me sukses, policia e Kosovës për vitin 2022 ka pasur në dispozicion një buxhet prej 120 milionë euro”.

Sa i përket situatës aktuale në Veri, drejtori i Policisë së Kosovës, ka kërkuar që të raportoj me dyer të mbyllura.

Rendi dhe siguria publike

Përveç situatës së komplikuar në Veri, drejtori i Policisë ka sqaruar edhe aktivitetet që kanë bërë për të mbajtur rendin dhe sigurinë publike.

“Gjatë vitit të kaluar kemi edhe disa raste pozitive siç është ulja e rasteve të vrasjeve, veprave penale të grabitjeve, veprave penale të vjedhjeve ndërsa janë rritur rastet e dhunës në familje”.

“Gjatë vitit të kaluar, policia e Kosovës ka evidentuar gjithsej 49 e 183 mijë raste, prej të cilave 29 mijë ka qenë të klasifikuar si vepra penale ndërsa 19 mijë raste të tjera kanë qenë raste të kundërvajtjes”.

Ndërsa, ka thënë se numri i vrasjeve, veprave penale, numri i kundërvajtjeve ka qenë në rënie.

“Krahasuar me vitin e 2022, numri i vrasjeve ka qenë në rënie prej 1.92 për qind, numri i veprave penale ka shënuar rënie prej 0.83 për qind dhe numri i kundërvajtjeve, rasteve të natyrave të tjera po ashtu ka shënuar rënie për 3.56 për qind”.

“Numri i vrasjeve ka shënuar rënie për 22 për qind, numri i lëndimeve të rënda ka shënuar rënie prej 12.5 për qind, numri i vjedhjeve ka shënuar rënie prej 51 për qind”.

Ndryshe, Policia e Kosovës asnjëherë tjetër nuk ka qenë kaq e ekspozuar ndaj rrezikut dhe asnjëherë tjetër për një kohë kaq të gjatë siç është tani me situatën në Veri, por është hera e parë tash e 15 vjet që shteti ka vendosur t’ua ndalë shtesat për rrezikshmëri në punë.

Asnjë pagesë ekstra nuk do ta marrin as për oraret e stërzgjatura të punës këto ditët e fundit në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Përveç mungesës së sigurimeve shëndetësore, për herë të parë, pas 15 vjetëve, policët do mbeten pa shtesa për punën me rrezik që kryejnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore