Lajme

Drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës: Polici i lënduar mbrëmë është operuar dhe është në gjendje stabile


Spitali i Mitrovicës.

Në spitalin e Mitrovicës vazhdon të qëndroj një polic i Kosovës, i operuar të dielën në mbrëmje pas një lëndimi të lehtë që kishe marrë në dorë nga sulmuesit serbë.

Lajmin për gjendjen shëndetësore të tij e ka bërë të ditur drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, Luljeta Buqinca –Zhubi në një bisedë për Albanian Post.

“Deri tani që ka kërkuar ndihmë është një pjesëtar i policisë me një lëndim të lehtë në dorë. Ai është operuar të dielën në mbrëmje dhe gjendja e tij është stabile jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë Zhubi për Albanian Post.

Drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, Luljeta Buqinca –Zhubi.

Sulmuesi serb, i cili është plagosur gjatë sulmit ndaj Policisë së Kosovës, të dielën është në gjendje të mirë shëndetësore.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Gani Jashanica, i cili ka thënë se i njëjti i ka dy plagë.

“I ka dy plagë. Femurin e ka të dëmtuar dhe kërcirin (pjesa nën gju), por është në gjendje stabile”.

Dita e hënë (25 shtator), është ditë zie kombëtare në nderim të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë pas një sulmi të organizuar nga një grup kriminal ende i paidentifikuar saktë për organet e rendit.

Ishte një sulm terrorist.

Gjithçka filloi në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit, kur një grup i armatosur rëndë në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – qëlluan me armë zjarri mbi trupat e Policisë së Kosovës, duke shuar jetën e një zyrtari policor.

Grupi që ngriti në nivele të larta shkallën e egërsisë në veri, sipas autoriteteve kosovare, nuk ka qenë në përbërje të civilëve të rëndomtë që ngrenë krye herë pas here në këtë zonë, por ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë serbë.

Pjesëtarët e këtij grupi, pas vrasjes së policit kosovar në krye të detyrës dhe plagosjes së tre policëve të tjerë, gjetën strehë në Manastirin e Banjskës, ku u barrikaduan për orë të tëra dhe shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së diel, duke tentuar të provokonin kryengritje më të gjërë.

Kjo bandë që cenoi sigurinë dhe paqen në veriun e trazuar të vendit, u neutralizua nga Policia e Kosovës dhe operacioni policor gëzoi mbësheje të gjerë ndërkombëtare. Tre pjesëtarë të bandës terroriste u vranë, tre të tjerë u plagosën dhe gjashtë u arrestuan, ndërsa të tjerët u arratisën në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore