Lajme

Drejtori i Ortopedisë: Serbi që sulmoi Policinë e Kosovës është operuar, është në gjendje stabile


Drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Gani Jashanica.

Sulmuesi serb, i cili është plagosur gjatë sulmit ndaj Policisë së Kosovës, të dielën është në gjendje të mirë shëndetësore.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Gani Jashanica, i cili ka thënë se i njëjti i ka dy plagë.

“I ka dy plagë. Femurin e ka të dëmtuar dhe kërcirin (pjesa nën gju), por është në gjendje stabile”.

Serbi i plagosur të dielën nga Policia e Kosovës gjatë dërgimit në Spitalin e Mitrovicës.

“Sot e kam vizituar. Ai do të qëndrojë i shtrirë edhe për disa ditë”, ka thënë Jashanica për AP.

I njëjti ishte dërguar nga Spitali i Mitrovicës mbrëmjen e së dielës në QKUK për trajtim.

Dita e hënë (25 shtator), është ditë zie kombëtare në nderim të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë pas një sulmi të organizuar nga një grup kriminal ende i paidentifikuar saktë për organet e rendit.

Ishte një sulm terrorist.

Gjithçka filloi në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit, kur një grup i armatosur rëndë në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – qëlluan me armë zjarri mbi trupat e Policisë së Kosovës, duke shuar jetën e një zyrtari policor.

Grupi që ngriti në nivele të larta shkallën e egërsisë në veri, sipas autoriteteve kosovare, nuk ka qenë në përbërje të civilëve të rëndomtë që ngrenë krye herë pas here në këtë zonë, por ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë serbë.

Pjesëtarët e këtij grupi, pas vrasjes së policit kosovar në krye të detyrës dhe plagosjes së tre policëve të tjerë, gjetën strehë në Manastirin e Banjskës, ku u barrikaduan për orë të tëra dhe shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së diel, duke tentuar të provokonin kryengritje më të gjërë.

Kjo bandë që cenoi sigurinë dhe paqen në veriun e trazuar të vendit, u neutralizua nga Policia e Kosovës dhe operacioni policor gëzoi mbësheje të gjerë ndërkombëtare. Tre pjesëtarë të bandës terroriste u vranë, tre të tjerë u plagosën dhe gjashtë u arrestuan, ndërsa të tjerët u arratisën në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore