Lajme

Dreçun: Qëllimi i planit evropian s’është hyrja e Kosovës në OKB, por në NATO


“Është e qartë se vijat e kuqe të Serbisë janë se ajo nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk e pranon anëtarësimin e saj në OKB, por qëllimi i planit evropian është që t’i hapë mundësinë Kosovës për të hyrë në NATO”, tha për mediumin serb FoNet, kryetari i të ashtuquajturit Komisionit Parlamentar për Kosovën, Milovan Dreçun.

“Ne qëndrojmë me vendosmëri në qëndrimin se nuk do ta njohim shtetin e Kosovës dhe kështu inkurajojmë Spanjën, Qipron dhe anëtarët e tjerë të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës që të kundërshtojnë anëtarësimin e saj në Union apo në aplikimin e saj në NATO”, shtoi ai.

“Ata mund ta bëjnë këtë nëse Kosova i ka zgjidhur problemet e saj territoriale dhe etnike dhe kështu ta thyejnë Spanjën duke shpjeguar se edhe Serbia ka pranuar të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, mendon Dreçun.

Tani, pas bisedimeve në Bruksel, shtoi Dreçun, të gjithë e dinë se Asociacioni i Komunave Serbe duhet të formohet dhe se Serbia nuk do të pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Ai pretendon se Serbia është siguruar që propozimi evropian nuk është një marrëveshje që do të çojë në njohje reciproke.

“Kjo nuk është një marrëveshje që do të çonte në njohje reciproke, ne vazhdojmë të bisedojmë, mbrojmë interesat e popullit serb dhe mundësojmë zhvillimin e qetë të marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve dhe bashkëpunimin ekonomik për të jetuar normalisht”, theksoi ai.

Ai beson se ndërmjetësit perëndimorë mund të vendosin disa nga kërkesat dhe pritshmëritë e tyre, por kjo nuk do të thotë se Beogradi do t’i pranojë ato.

“Nuk do të bëjmë udhërrëfyes dhe as nuk do të marrim përsipër që të mos e kundërshtojmë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, gjegjësisht në OKB”.

Dreçun shtoi se bashkësia ndërkombëtare po insiston që çështja e Kosovës të zgjidhet dhe Serbia të përafrohet me politikën e jashtme dhe të sigurisë evropiane dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore