Lajme

Dreçun i prerë: S’do të ketë përparim serioz me 18 mars pa formimin e Asociacionit sipas Marrëveshjes së Brukselit


Milovan Dreçun

Për të ashtuquajturin kryetarin e Komisionit Parlamentar për Kosovën, Milovan Dreçun, tashmë është e qartë se në takimin e nivelit të lartë në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Maqedoninë e Veriut, nuk do të arrihet asnjë përparim serioz.

Kjo pasi që sipas tij, Serbia mbetet e vendosur në qëndrimin e saj se nuk do të mund të pranojë dhe të pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës”, ka thënë fillimisht ai, raporton mediumi opozitar serb, Danas.

Sipas Dreçun arsyeja tjetër se pse ai është pesimist për sa i përket takimit të 18 marsit, ku pritet të negociohet plani i zbatimit të Marrëveshjes së dakordësuar të paktën gojarisht më 27 shkurt, ka të bëjë me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Fillimisht zbatimi i Asociacionit dhe më pas gjithçka tjetër, Lajçak tani praktikisht po përpiqet të mbrojë qëndrimin refuzues të Kurtit për Asociacionin, e në anën tjetër Kosova po shpërblehet me liberalizimin e vizave”, ka shtuar ai.

Dreçun beson se diplomati sllovak po bën deklarata kontradiktore për Asociacionin duke thënë se ky mekanizëm nuk duhet të formohet në sipas Marrëveshjes së Brukselit.

“Tani po kërkohen disa modalitete të tjera”, shton ai duke thënë se Kosova duhet të vuaj masat e duhura ndëshkuese për shkak të refuzimit të implementimit të Asociacionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore