Lajme

Dorëhiqet i dërguari special i SHBA-ve për Bririn e Afrikës


Jeffrey Feltman

I dërguari special i SHBA-ve për Bririn e Afrikës, Jeffrey Feltman, do të japë dorëheqjen nga posti i tij pas më shumë se nëntë muajsh në detyrë.

Pritet që këtë detyrë ta marrë ambasadori i SHBA-ve në largim nga Turqia, David Satterfield.

Feltman, një diplomat veteran amerikan, do ta merrte postin në prill.

Shumë shpejt ai do të gjendej në mes të dy krizave të mëdha – thellimit të luftës civile të Etiopisë midis forcave besnike të Frontit Çlirimtar Popullor Tigray (TPLF) dhe ushtrisë së kryeministrit Abiy Ahmed, si dhe një grusht shteti ushtarak në Sudan në tetor.

Lajmin për largimin e tij e kanë konfirmuar burime për agjencinë e lajmeve ndërkombëtare “Reuters”, të mërkurën e 5 janarit.

Vendimi, i cili nuk u raportua më parë, erdhi përpara se ai të nisej drejt Etiopisë të enjten, ku do të takohej me zyrtarë të lartë të qeverisë rreth bisedimeve të paqes, si pjesë e shtytjes së fundit të Washington-it për t’i dhënë fund konfliktit.

62-vjeçari Feltman deklaroi se një “ndjenjë e detyrës” e nxori atë nga “pothuaj pensioni” pas më shumë se 25 vjetësh si diplomat amerikan me poste në Kombet e Bashkuara, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Ai e pranoi detyrën si i dërguar special “me synimin për të shërbyer për më pak se një vit”, tha një burim i njohur me çështjen.

Burimi tha se Satterfield do të sigurojë fokusin e vazhdueshëm të SHBA-ve – i nevojshëm për shkak të paqëndrueshmërisë së vazhdueshme dhe sfidave të ndërlidhura në rajon.

Nga ana tjetër, Departamenti i Shtetit nuk ka pranuar ta komentojë këtë lajm.

Po ashtu as zëdhënësja e qeverisë etiopiane, Legesse Tulu, nuk pranoi të komentonte sepse, sipas saj, është një çështje e brendshme e qeverisë së SHBA-ve.

Kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed.

Feltman është përballur me një ndër konfliktet më të përgjakshme të Afrikës, ku kanë mbetur të vrarë mijëra civilë, ka zhvendosur miliona dhe ka shkaktuar krizë urie.

Në Sudan, protestat kanë vazhduar për javë të tëra duke përfshirë të martën, dy ditë pas dorëheqjes së kryeministrit Abdalla Hamdok.

Ai shërbeu nga viti 2019 deri në grushtin e shtetit dhe u rikthye në detyrë më 21 nëntor, në një marrëveshje me ushtrinë. Kjo e fundit e refuzuar gjerësisht nga protestuesit.

Satterfield, veteran i Shërbimit të Jashtëm të SHBA-ve me më shumë se katër dekada përvojë, ka pasur një post sfidues si ambasador i SHBA-ve në Turqi, ku udhëhoqi një marrëdhënie të tensionuar dypalëshe midis dy aleatëve të NATO-s.

Ushtarët e qeverisë etiopiane

Para Ankarasë, ai shërbeu në Arabinë Saudite, Liban, Tunizi dhe Siri, ndër të tjera, dhe punoi dy herë si diplomati më i lartë i SHBA-ve në Departamentin e Shtetit për Çështjet e Lindjes së Mesme.

Rritja e eksporteve të dronëve të Turqisë, së fundmi në Etiopi, do të jetë argumenti i zakonshëm në rolet e vjetra dhe të reja të Satterfield-it.

Washington-i në dhjetor ngriti me Turqinë çështjen mbi shitjet e tij të dronëve të armatosur në Etiopi.

Burimet thanë se kishte prova të numrave në rritje në shitjen e dronëve dhe se qeveria i përdori këto armë kundër luftëtarëve rebelë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore