Libra

Dita kur lindi një gjeni


Albert Ajnshtajn

Para 144 viteve, saktësisht më 14 mars të vitit 1878, lindi Albert Ajnshtajn, djali i një inxhineri me etni hebre, në qytetin Ulm të Gjermanisë. Teoria e relativitetit special dhe të përgjithshëm, që mbi vete mbajnë emrin e Ajnshtajnit, kanë ndryshuar në mënyrë drastike kuptimin e njerëzve për universin, dhe po ashtu është e njohur puna e tij për teorinë e grimcave dhe energjisë e cila ndihmoi në krijimin e mekanikës kuantike, dhe edhe të asaj që tani shihet si një rrezik për njerëzimin – bombën atomike.

I njohur si fizikant, studimet e tij për fizikë dhe matematikë i kishte vijuar në Akademinë Federale Politeknike në Cyrih, Zvirër. Po ashtu, ai e kishte fituar nënshtetësinë zvicerane në vitin 1905, dhe ishte nderuar nga Universiteti i Cyrihut me titullin doktor i shkencave (PhD).

Po atë vit – të cilin historianët që kanë studiuar punën e Ajnshtajnit e quajnë “annus mirabilis” (viti i mrekullisë) – ai kishte botuar pesë dokumente teorike, e të cilat do të kishin një ndikim të thellë në zhvillimin e fizikës moderne.

Në të parën prej tyre, e titulluar “Mbi një këndvështrim heuristik në lidhje me prodhimin dhe transformimin e dritës”, Ajnshtajni hodhi teorinë se drita përbëhet nga kuante individuale (fotone) që demonstrojnë veti të ngjashme me grimcat ndërsa sillen kolektivisht si valë. Hipoteza, një hap i rëndësishëm në zhvillimin e teorisë kuantike, u arrit përmes ekzaminimit të Ajnshtajnit të efektit fotoelektrik, një fenomen në të cilin disa trupa të ngurtë lëshojnë grimca të ngarkuara elektrike kur goditen nga drita.

Shpërblimi për këtë punë të jashtëzakonshme të tij – do të ishte çmimi Nobel në Fizikë në vitin 1921.

Ndërkaq, në punimin e dytë, ai shpiku një metodë të re për numërimin dhe përcaktimin e madhësisë së atomeve dhe molekulave në një hapësirë ​​të caktuar, ndërsa në të tretën ai ofroi një shpjegim matematikor për lëvizjen e vazhdueshme të çrregullt të grimcave të larguar në një lëng, të njohur si “Brownian” lëvizje.

Këto dy punime të tij arritën që të siguronin prova të padiskutueshme të ekzistencës së atomeve, e të cilat në atë kohë ishin të diskutuar nga një numër i konsiderueshëm i shkencëtareve.

Në punimin e katër shkencor të Ajnshtajnit, ai e ka trajtuar atë që vetë e quajti teoria “speciale e relativitetit”. Në relativitetin special, koha dhe hapësira nuk janë absolute, por relative me lëvizjet e vëzhguesit. Kështu, dy vrojtues që udhëtojnë me shpejtësi të madhe në lidhje me njëri tjetrin, nuk do të vëzhgonin domosdoshmërisht ngjarje në të njëjtën kohë. Në teorinë e Ajnshtajnit, shpejtësia e dritës, e cila është kufizuese e çdo trupi që ka masë, është konstante në të gjitha kornizat e referencës.

Ndërsa, në punimin e pestë të atij viti, një eksplorim i matematikës së relativitetit special, Ajnshtajni vuri në pah teorinë se masa dhe energjia ishin ekuivalente dhe mund të llogariteshin me një ekuacion (E=mc2).

Gjatë kohës sa ai bënte zbulimet e tij, njerëzit në atë kohë nuk ishin aq entuziast për të, por në rrethin e fizikantëve më të shquar të Evropës në atë kohë, ai u mirëprit dhe iu ofruan postet i profesorit në Cyrih, Pragë dhe në Berlin.

Në vitin 1916, ai botoi “Themeli i Teorisë së Përgjithshme të Relativitetit”, i cili sugjeroi se graviteti, si dhe lëvizja, mund të ndikojnë në intervalet e kohës dhe të hapësirës. Sipas Ajnshtajnit, gravitacioni nuk është një forcë, siç Isak Njutoni kishte argumentuar, por një fushë e lakuar në vazhdimësinë hapësirë-kohë, e krijuar nga prania e masës. Prandaj, një objekt me masë gravitacionale shumë të madhe, si dielli, do të duket se shtrembëron hapësirën dhe kohën rreth tij, gjë që mund të demonstrohet duke vëzhguar dritën e yjeve teksa e kalonte diellin në rrugën e tij drejt tokës.

Në vitin 1919, astronomët që studionin një eklips diellor verifikuan parashikimet e bëra nga Ajnshtajni në teorinë e përgjithshme të relativitetit dhe ai u bë një njeri i famshëm brenda natës. Më vonë, parashikime të tjera të relativitetit të përgjithshëm, të tilla si një zhvendosje në orbitën e planetit Mërkur dhe ekzistenca e mundshme e vrimave të zeza, u konfirmuan nga shkencëtarët.

Përveç këtyre, Ajnshtajni dha kontribute të vazhdueshme në teorinë kuantike dhe filloi punën në një teori të unifikuar të fushës, e cila shpresonte se do të përfshinte mekanikën kuantike dhe teorinë e tij të relativitetit si një shpjegim madhështor i funksionimit të universit. Si një figurë publike me famë botërore, ai u bë gjithnjë e më shumë politik, duke marrë kauzën e Sionizmit dhe duke folur kundër militarizmit dhe riarmatimit. Në Gjermaninë e tij të lindjes, kjo e bëri atë një figurë jopopullore dhe pasi udhëheqësi nazist Adolf Hitler u bë kancelar i Gjermanisë në 1933, Ajnshtajni hoqi dorë nga shtetësia gjermane dhe u largua nga vendi.

Më vonë ai u vendos në Shtetet e Bashkuara, ku pranoi një post në Institutin për Studime të Avancuara në Princeton, New Jersey. Ai do të qëndronte atje për pjesën tjetër të jetës së tij, duke punuar në teorinë e tij të unifikuar të fushës. Ai u bë shtetas amerikan në vitin 1940.

Në vitin 1939, pavarësisht nga besimet e tij pacifiste të përjetshme, ai pranoi t’i shkruante Presidentit Franklin D. Roosevelt në emër të një grupi shkencëtarësh që ishin të shqetësuar me mosveprimin amerikan në fushën e kërkimit të armëve atomike. Ashtu si shkencëtarët e tjerë, ai kishte frikë nga zotërimi i vetëm gjerman i një arme të tillë. Megjithatë, ai nuk luajti asnjë rol në Projektin e mëpasshëm “Manhattan” dhe më vonë shprehu keqardhje për përdorimin e bombave atomike kundër Japonisë. Pas luftës, ai bëri thirrje për krijimin e një qeverie botërore që do të kontrollonte teknologjinë bërthamore dhe do të parandalonte konfliktet e armatosura në të ardhmen.

Gjithashtu, në vitin 1950, ai publikoi teorinë e tij të unifikuar të fushës, e cila u kritikua në heshtje si një dështim. Një shpjegim i unifikuar i gravitacionit, fenomeneve nënatomike dhe elektromagnetizmit mbetet i pakapshëm sot.

Albert Ajnshtajn, një nga mendjet më krijuese në historinë njerëzore, vdiq në Princeton në vitin 1955.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore