Lajme

Diplomati amerikan: Marrëveshja përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë kërkon besim të ndërsjellët


Michael Kirby

Se takimi i tretë i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi do të përfundonte pa epilog, për ish-ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Michael Kirby, nuk ka qenë befasi. Megjithatë ai beson se palët do të vazhdojnë të takohen në ditët në vijim.

Sipas diplomatit amerikan problemi kryesor që po shkakton ngërç në bisedime është mosbesimi që kanë Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç kundër njëri-tjetrit.

“Takimet më të shpeshta besojë që mund të ndikojnë në zhvillimin e mirëkuptimit ndërmjet palëve. Bisedat e shpeshta ndihmojnë për të krijuar marrëdhënie korrekte, nëse palët nuk takohen atëherë marrëdhënia e tyre ftohet”, ka thënë Kirby.

Më tej diplomati veteran bënë se palët në këtë rast nuk janë të gatshëm për kompromise, nëse në fund nuk shpërblehen me diçka shumë të rëndësishme.

“Në aspektin teknik ekziston një mënyrë ku palët mund të arrijnë një marrëveshje, megjithatë pyetja në këtë rast është se nëse një gjë e tillë do t’i dëmtojë liderët politikisht”, ka shtuar ai.

Ilustrim

Ndryshe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi takimi i djeshëm në Bruksel përfundoi pa rezultat.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Amerikan, Ned Price, në një konferencë për media ka bërë të ditur se Uashingtoni po monitoron nga afër situatën.

Price më tej ka theksuar faktin se Uashington e mbështet plotësisht dialogun dhe se sipas tyre në gjithë këtë mes është e rëndësishme që të dyja palët të shfrytëzojnë këto bisedime në mënyrë efektive.

“Palët duhet të çojnë përpara diskutimin për normalizimin e marrëdhënieve që ka në qendër premisën e njohjes së ndërsjellët”, ka theksuar Price.

Zëdhënësi i DASH-it, ka bërë të ditur gjithashtu se Gabriel Escobar, është duke vëzhguar diskutimet nga afër.

“Janë një mori zyrtarësh të lartë që po e vëzhgojnë këtë çështje nga afër. E kemi një zyrtar të lartë që është në Bruksel, duke vëzhguar nga afër këto bisedime. Ju siguroj që këto bisedime e kanë vëmendjen e zyrtarëve të lartë amerikanë”.

“Kjo është një çështje me të cilën vetë Sekretari Blinken është angazhuar personalisht prej një kohe të gjatë. Ky është një prioritet që përfshinë gjithë organizatën tonë, në terren dhe këtu në SHBA”, ka shtuar ai.

5 orë bisedime, 1 deklaratë, asnjë marrëveshje

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore