Lajme

5 orë bisedime, 1 deklaratë, asnjë marrëveshje


Janë dashur dy raunde takimesh trepalëshe (Kosovë, Serbi, BE) takime veç veç (Kryeministri Albin Kurti dhe Josep Borell e Miroslav Lajcak) dhe (Aleksandër Vuçiç, Josep Borell e Miroslav Lajçak), dhe pesë orë bisedime në një dhomë të Komisionit Evropian, por rezultati ka qenë, pajtimi për një tjetër takim, i cili, megjithatë nuk dihet se kur do të ndodhë.

Takimi i Kurtit me Vuçiç e ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian ishte i treti (përfshirë dhe atë jo formal në Berlin).

Por, palët, siç u kumtua nga Borell, nuk e arritën mesin as pas 300 minutash bisedë pasi pozicionet fillestare ishin skajshmërisht të kundërta.

Ashtu siç ishte paralajmëruar në agjendë, takimi filloi në orën 10:30, pasi paraprakisht kishte pasur pritje të veçanta nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme, për dy liderët.

Interpretimi i mimikave shpie të një qasje e anshme e Borell me mrrolët që ia tregojë Kurtit dhe buzëqeshjen e rezervuar për Vuçiçin.

Ende pa ia zgjatuar mirë dorën Kurtit, Borell i foli për takimin që kryeministri kosovar kishte me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Lexova se keni kërkuar më shumë trupa në Veri”, gërmëzoi Borell, derisa Kurti ia ktheu se “po, nëse duhet”.

Për Vuçiç-in, ishte përgatitur pyetje tjetër nga spanjolli. “Si kalove me kryeministrin tim?”, e pyeti Borell, duke iu referuar vizitës së fundit të kryeministrit spanjoll në Beograd, Pedro Sánchez.

Më pas, u dhanë disa pamje se takimi i përbashkët po fillon.

Kurti e Vuçiç nga ato momente kur kamerat ishin brenda dhomës s’u përshëndeten me shtrëngim dore dhe as me shikime.

Raundi i parë filloi, me fare pak informacion.

Lajmi i vetëm nga Brukseli ishte se në ndërtesën ku po zhvilloheshin bisedimet, ishte parë tek futej edhe i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, i cili e ka fuqizuar rolin amerikan në dialog.

Filloi edhe raundi i dytë e përfundoi, por Borell nuk po dilte në konferencën për media, e cila ishte paralajmëruar për diku rreth orës 14:00.

Me dy orë vonesë u shfaq diplomati, i cili u kërkoi falje gazetarëve për pritjen, por u arsyetua se “takime të tilla dihet kur fillojnë, por asnjëherë kur përfundojnë”.

Borell ishte i prerë. Në fjalitë e para të tij konstatoi se “takimi nuk ishte normal”.

Jo normal as për temat e as për kohën se kur po zhvillohej.

“Ju tregova dy palëve se këto biseda po i zhvillojmë në një modul të gjendjes së jashtëzakonshme”, pohoi Borell, duke mos pasur fjalën vetëm për atë që po ndodhë në Veri, por edhe për faktin se brenda kontinentit evropian po vazhdon të zhvillohet një luftë – ajo e Ukrainës me Rusinë.

S’ka marrëveshje, as dorëzim

Borell shtoi me dhimbje se megjithatë marrëveshje s’ka.

“Fatkeqësisht nuk kemi arritur asnjë marrëveshje sot”, por deklaroi se “nuk dorëzohem” dhe se ky takim “nuk është fundi”.

“Dy liderët u dakorduan për të vazhduar diskutimet, dhe bisedimet do të vazhdojë në ditët në vijim”.

Shefi i diplomacisë evropiane tha edhe se ka ende kohë deri më 1 shtator, në ditën kur rinis implementimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës, për konvertimin e targave dhe reciprocitetit me kartat e identitet.

Megjithatë spanjolli është treguar i prerë në rast se situata tensionohet përsëri në Veri.

“Dua të ju them se nëse situata në terren përkeqësohet përsëri, atëherë fajtorë janë të dyja palët”.

Ai ka përsëritur faktin se takimi në fjalë nuk ka qenë një takim i zakonshëm në kuadër të dialogut, por një takim për “menaxhim të krizës”.

“Kjo nuk është koha për rritjen e tensioneve. Është koha të shikohet të gjinden zgjidhje dhe të zgjidhen mosmarrëveshjet e kahmotshme. U thash të dy liderëve se ky ishte një takim për menaxhimin e krizës, jo një takim i zakonshëm dhe se qëllimi ishte të uleshin tensionet në terren”, ka shtuar ai.

Meqë ishte pajtim paraprak, konferencë për media nuk mbajtën as Kurti e as Vuçiç.

Gjithsesi, në një orë më të vonë, Qeveria e Kosovës doli me një njoftim zyrtar për takimin.

“Sot kishte dy tema në agjendë”, thuhet në komunikatë, duke elaboruar më pas secilën prej tyre dhe qëndrimet të cilat i ka mbajtur Kurti.

E para, konstatohet në komunikatën e Qeverisë për media, “ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes”.

Aty, sipas njoftimit të qeverisë, “Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër”.

“Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë”.

Ndërsa, tema e dytë “ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”.

Në anën tjetër Vuçiç u lajmërua nga Instagrami.

Si gjithmonë, ishte më patetik me fjalimin e tij.

Tha se ka hequr fort në këtë takim dhe s’ishte ditë e mirë për serbët e Serbinë.

“Të dashur qytetarë të Serbisë, një ditë e vështirë është pas nesh, ishte një ditë e vështirë për të gjithë qytetarët dhe për mbarë vendin”, deklaroi Vuçiç.

“Nuk mund të them se ka përfunduar me sukses”.

Vuçiç ka shtuar se nuk mund të flas shumë, porse është treguar pesimist që ditët në vazhdim do sjellin ndonjë zgjidhje.

“Po përmbahem nga çdo koment tjetër, sepse shpresoj dhe dua të besoj se është e mundur që me ndonjë mrekulli të arrijmë një zgjidhje kompromisi në ditët në vijim. Kjo është arsyeja pse unë do të vazhdoj të luftoj për paqen dhe stabilitetin”.

Në fund të ditës u njoftua nga mediat serbe, me burime, se ka gjasë që Vuçiç qëndroi sonte në Bruksel për t’u takuar edhe një herë me Escobarin e Lajçakun.

Derisa ka bërë të ditur se kur të kthehet në Beograd, ka një deklaratë tejet të rëndësishme për ta bërë.

Për këtë, ka ftuar edhe strukturat politike e administrative të serbëve të Kosovës.

Nga qeveria e Kosovës, ende, nuk është njoftuar nëse Kurti do të ketë ndonjë paraqitje para gazetarëve kur të kthehet nga Brukseli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore