Lajme

Dioqeza Rashkë-Prizren e kishte kundërshtuar, Çeku i kërkon bashkëpunim për sanimin e dëmeve të Manastirit të Banjës


Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Edhe pse kishin kundërshtuar që institucionet e Kosovës ta restaurojnë, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se i ka dërguar shkresë zyrtare Dioqezës Rashkë-Prizren, për sanimin e dëmeve të Manastirit të Banjës, të shkaktuara nga sulmi terrorist i 24 shtatorit.

“Zotimin e dhënë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të datës 27 shtator 2023 për sanimin e dëmeve në Manastirin e Banjskës në Zveçan, të shkaktuara nga sulmi terrorist i datës 24 shtator, po e konkretizojmë më shkresën zyrtare drejtuar Dioqezës Rashkë – Prizren”, ka shkruar Çeku në Facebook, teksa ka bërë publike shkresën e dërguar Peshkopit Teodisije.

Manastiri i Banjës

Ministri i Kulturës ka theksuar se konform detyrimeve, autorizimeve kushtetuese dhe ligjore “ftojmë autoritetet e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë për bashkërendim të veprimeve deri në ndërhyrjet e nevojshme restauruese për sanimin e dëmeve në këtë aset të trashëgimisë kulturore”.

Më 28 shtator, Dioqeza Rashkë-Prizren, kishte refuzuar që institucionet e Kosovës, të restaurojnë Manastirin e Banjskës, pas sulmeve nga grupet terroriste të dielën e 24 shtatorit, që dëmtuan strukturën e tij.

Përmes një shkrimi në platformën ‘X’, Dioqeza kishte thënë se nuk pranojnë ndërhyrje nga Kosova pasi që e shohin se “akt politik”.

“Në këtë situatë të papranueshme, dioqeza jonë nuk është në gjendje të pranojë ndërhyrjen e institucioneve të Kosovës në jetën e kishës sonë dhe marrjen e mbrojtjes së Manastirit të Banjskës”.

“Ne e shohim këtë iniciativë kryesisht si një akt politik që synon jo vetëm vendosjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë nën kontrollin politik të institucioneve të Kosovës, por edhe si një hap drejt degradimit të mëtejshëm të lirive dhe të drejtave tona themelore fetare dhe përvetësimin kulturor të kishave dhe manastireve tona”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga dioqeza.

Dioqeza Rashkë-Prizren refuzon që Kosova ta restaurojë Manastirin e Banjskës, e quajnë “akt politik”

Çka ndodhi?

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake.

Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore