Lajme

Dioqeza Rashkë-Prizren refuzon që Kosova ta restaurojë Manastirin e Banjskës, e quajnë “akt politik”


Manastiri i Banjskës.

Dioqeza Rashkë-Prizren, ka refuzuar që institucionet e Kosovës, të restaurojnë Manastirin e Banjskës, pas sulmeve nga grupet terroriste të dielën, që dëmtuan strukturën e tij.

Përmes një shkrimi në platformën ‘X’, dioqeza ka thënë se nuk pranojnë ndërhyrje nga Kosova pasi që e shohin se “akt politik”.

“Në këtë situatë të papranueshme, dioqeza jonë nuk është në gjendje të pranojë ndërhyrjen e institucioneve të Kosovës në jetën e kishës sonë dhe marrjen e mbrojtjes së Manastirit të Banjskës”.

“Ne e shohim këtë iniciativë kryesisht si një akt politik që synon jo vetëm vendosjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë nën kontrollin politik të institucioneve të Kosovës, por edhe si një hap drejt degradimit të mëtejshëm të lirive dhe të drejtave tona themelore fetare dhe përvetësimin kulturor të kishave dhe manastireve tona”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga dioqeza.

Tutje është thënë se ata mund të angazhojnë ekspertë të pavarur për të vlerësuar dëmët që janë shkaktuar nga sulmet terroriste në Veri të Kosovës, të dielën e 24 shtatorit.

“Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit është në gjendje të angazhojë ekspertë të pavarur për të vlerësuar dëmet e shkaktuara, për të rikthyer atë që është dëmtuar me burimet tona dhe kontributet e bamirësve tanë”.

Ndërsa, janë treguar kritikues ndaj deklaratës së ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, pasi sipas tyre ai po refuzon që ta njoh emrin e vërtetë të kishës.

“Jemi thellësisht të zhgënjyer nga deklaratat publike të ministrit Çeku në Tëitter (X), ku ai sërish refuzoi të njohë emrin e duhur të kishës sonë dhe nuk arriti ta identifikojë atë si manastir të Kishës Ortodokse Serbe, ku bëhen shërbesa të rregullta”.

“Kjo qasje jo vetëm që përvetëson trashëgiminë kulturore të Kishës Ortodokse Serbe dhe mohon identitetin e saj, por gjithashtu tregon një preferencë për historinë e hershme të krishterë të manastirit ndaj statusit të tij aktual si një manastir i gjallë, duke zbuluar qëndrimin real të institucioneve të Kosovës ndaj trashëgimisë sonë kulturore”.

Të mërkurën, në mbledhjen e Qeverisë, ministri Çeku deklaroi se sulmi i armatosur përpos qëllimit për destabilizim të Kosovës, kishte qëllim edhe shkaktimin e dëmeve të marrëdhënieve fetare e etnike.

“Terroristët kanë shkaktuar dëme jo të vogla në strukturën fizike të këtij manastiri. Besoj thellë që qëllimi i këtij grupi, por edhe i urdhërdhënësve të tyre ka qenë që përveç dëmit fizik në Manastir, të dëmtohen edhe marrëdhëniet ndërfetare dhe ndëretnike në Kosovë”.

“Qeveria e Kosovës deri tash ka dhënë dëshmi të panumërta të vullnetit për të mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe në veçanti kishat dhe manastiret ortodokse”, kishte thënë Çeku.

Për intervenimet e nevojshme në objektin e Manastirit, ministri ka thënë se janë duke pritur krijimin e kushteve të nevojshme për autoritetet e trashëgimisë kulturore të bëjnë vlerësimin e dëmeve.

Të njëjtin qëndrim ai e kishte përsëritur edhe në Tëitter.

Të dielën në Banjskë të Zveçanit nga një grup i organizuar e i armatosur serbë u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në aksionin pasues, Policia rrethoi grupin me dhjetëra persona të uniformuar.

Ata u strehuan në Manastirin e Banjskës, në aksionin e Policisë u vranë tre persona ndërsa u arrestuan tetë, të tjerët kishin ikur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore