Shqipëria

Deti apo ajri, si udhëtohet më së shumti drejt Shqipërisë?


Turizmi është një ndër sektorët më jetikë në Shqipëri dhe si i tillë, ka qenë ndër fokuset kryesore të Qeverisë për ta rimëkëmbur sa më shpejt atë.

Hapja falë gjendjes së mirë epidemiologjike në vend për të gjithë të huajt dhe shqiptarët që jetojnë jashtë, duket se ka sjellë frytet e veta edhe për kompanitë e ndryshme të udhëtimeve ajrore e detare për sa i përket transportit të pasagjerëve.

Në krahasim me vitin 2020, ka pasur një dyfishim të transportit të pasagjerëve në të gjithë kategoritë.

Ndërsa në vitin 2020 – thellësisht pandemik – 1.2 milionë pasagjerë përdorën transportin ajror, detar dhe hekurudhor drejt Shqipërisë, në vitin 2021 kanë qenë rreth 2.4 milionë udhëtarë.

Sipas publikimit të fundit nga Instituti i Statistikave në Shqipëri (INSTAT), rritje ka pasur veçanërisht në muajin gusht.

Krahasimisht me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, ka pasur rritje të madhe. Mbi të gjitha, në sektorin detar.

Në gusht 2020 transporti detar ka pasur vetëm 61 mijë udhëtarë. Në vitin 2021 kjo shifër është pesëfishuar, duke shkuar në 307 mijë. Me thuajse 2.5 herë është rritur edhe transporti ajror. Nga 209 mijë në gusht 2020, ka shkuar në 561 mijë në gusht 2021.

Shifrat e gushtit 2021 janë po ashtu mbi mesataren e muajve gusht në periudhën 2018-2020.

Gjithsesi, ndërkohë që transporti ajror ka parë rritje, ai detar, ka parë ulje nëse e krahasojmë me periudhën para-pandemike.

Transporti hekurudhor nuk ka luhatje të mëdha, por ka parë rritje graduale.

Nga i gjithë transporti, vendin kryesor e zë ai ajror me 63.9% të transportit gjithsej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore