Gjykata Speciale

Dëshmitari në Speciale pyetet për intervistimin nga ZPS-ja në vitin 2019


Gjykata Speciale.

Në seancë të mbyllur ka nisur fillimisht gjykimi ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen për krime lufte, ku më pas seanca ka kaluar e hapur, por që identiteti i dëshmitarit nuk është zbuluar.

Fillimisht, dëshmitari është pyetur për një dokument që nuk është bërë i ditur, por është pyetur vetëm për dëshminë që kishte dhënë.

Ai tutje është pyetur edhe për takimin e mbajtur në vitin 2019, me Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS).

Me vetëm “po” ose “jo”, është përgjigjur dëshmitari gjatë intervistimit nga prokurorja Sarah Clanton.

Clanton, e prezantoi atë si një person që është ndaluar e keqtrajtuar prej pjesëtarëve të UÇK-së.

“Dëshmitari me numër 02749 ka qenë banor i Prizrenit. Në qershor 1999 është rrëmbyer dhe rrahur nga pjesëtarët e UÇK-së. Është dërguar në një ndërtesë të përdorur nga UÇK-ja ku është marrë në pyetje dhe është rrahur më pas”.

“Gjatë ndalimit ai i ka vërejtur edhe personat e tjerë të ndaluar dhe është liruar nga një ushtar UÇK-së”, tha ajo.

Javën e kaluar të gjitha seancat ishin mbajtur të hapura.

Pjesë nga intervistimi i dëshmitarit nga prokurorja:

Prokurorja: A e njehni këtë, a është dëshmia që keni dhënë?

Dëshmitari: Po.

Prokurorja: E njihni nënshkrimin në këtë faqe?

Dëshmitari: Po.

Prokurorja: A është nënshkrimi juaj?

Dëshmitari: Po.

Prokurorja: Dëshmitar, ju lutem mos jepni asnjë përshkrim për këtë dokument. Thjesht, dua të ju pyes a e pranoni që ky dokument ka lidhje me takimin ku keni qenë i pranishëm?

Dëshmitari: Po.

Prokurorja: Dëshmitar, dokumenti që kemi nxjerr ka lidhje me një takim me Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në vitin 2019, ju kujtohet që jeni takuar me Prokurorin në vitin 2019?

Dëshmitari: Po.

Pas këtyre përgjigjeve të dëshmitarit, seanca ka kaluar në të mbyllur.

Javën e kaluar në Speciale, ka dëshmuar Hajrush Kurtaj,  në seancën e së enjtes ai është pyetur për arkivin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga avokati i ish kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaci, Luka Misetiç.

Misetiç, e ka pyetur atë se a ka idenë se ku janë dokumentet e arkivuara të UÇK-ës së administratës të zonës së gjashtë.

Por, që Kurtaj ka thënë se, “s’kam informacione, për shkak se me vendimin ndërkombëtar që është marrë nuk është bërë transformimi i trupave mbrojtjës në Forcën e Sigurisë”.

“Por, është bërë shpërberja e trupave të mbrojtjes së Kosovës dhe palët nuk kanë njohuri se ku ekzistojnë ato dokumente”, ka sqaruar ai.

Ai është pyetur nga avokati edhe për një bisedë që ka pasur me Agim Çekun.

Misetiç, i ka paraqitur dëshmitarit Kurtaj, intervistën që ka dhënë për Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Teksa, është pyetur edhe për bisedat që ka pasur me Agim Çekun, emërimin e Qamil Ilazit si komandant, urdhëresave që kishte marrë gjatë luftës nga Shukri Buja, për të cilat dëshmitari deklaroi se gjatë luftës “s’ka marrë asnjë urdhëresë”.

Më 21 shkurt, disa faqe të librit të dëshmitarit Hajrush Kurtaj, janë pranuar si prova materiale në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, për të cilat më pas është diskutuar për to nga prokurori James Pace.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore