Gjykata Speciale

Qeriqi në Speciale mohon akuzat se e kishte parë Thaçin të jepte urdhra ndaj anëtarëve të UÇK-së


Ish anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramiz Qeriqi.

Ish anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramiz Qeriqi, ka vazhduar dëshminë në Dhomat e Specializuar të Kosovës (DhSK), në ditën e dytë ai është marrë në pyetje nga mbrojtja e Jakup Krasniqit, Aiden Ellis.

Ellis, e ka pyetur atë nëse e kishte parë ish komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, duke jepur urdhra ose udhëzime ndaj anëtarëve ai ka mohuar një gjë të tillë.

“Jo, ju lutem jo. Me përjashtim, atëherë kur ka qenë në Krojmir. Unë nuk kam pas pjesë as me Shtabin e Përgjithshëm as me zonën përveç deri në brigadë”, tha Qeriqi.

Qeriqi, deklaroi se Jakup Krasniqin, e kishte parë vetëm një herë.

“Atë ditë në Krojmir, tjetër ditë nuk e kam parë. Ka mund të jetë edhe në ndonjë ditë tjetër, por se kam parë”.

I pyetur për Hashim Thaçin, ai u shpreh se nuk kanë qenë të informuar për funksionin e tij, por që më vonë e ka kuptuar që ka qenë staf politike në Shtabin e Përgjithshëm.

“Nuk e kemi ditur pozicionet e tyre. Por, më vonë e kemi kuptuar që ka qenë politik në Shtabin e Përgjithshëm dhe ka marrë pjesë në Rambuje. Atë kohë nuk e kemi ditur pozitën e saktë, por pas lufte e kemi kuptuar. Për Azem Sylën, e kemi ditë që ka qenë komandant i Shtabit të Përgjithshëm”, tha Qeriqi.

Ndërsa, shtoi se Thaçi s’ka marrë pjesë në mbledhje, por në takimet e rastit.

“S’ka marrë pjesë në mbledhje, por në takimet e rastit që kanë qenë dhe njëherë që ka ardhur në Krojmir. Për këto raste, jo në mbledhje”, tha ai duke shtuar se në Krojmir nuk i kujtohet saktë se çfarë ka pasur veshur.

Qeriqi dëshminë në Speciale e kishte nisur të martën.

Intervistimin e Qeriqit e kishte filluar prokurorja D’Ascoli, e cila e ka pyetur atë për një dokument që i është dhënë Tribunalit të Hagës në vitin 2005, dokument ky që ishte nënshkruar nga Shukri Buja.

Ndërsa, të hënën dëshmitari i 54-të në Gjykatën Speciale, kishte nisur dëshminë në seancë të mbyllur ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nga kryetari i trupit gjykues është thënë se arsyeja e mbylljes së seancës në rastin e dëshmitarit me kodin “Ë4739”, është për shkak të mbrojtjes së dëshmitarit.

Para se të nis seanca, trupi gjykues ka pranuar prova materiale, disa deklarata të dëshmitarëve përmes audio-incizimeve.

Nga Specialja të premten për Albanian Post është thënë se gjatë kësaj jave do të jenë dy dëshmitar dhe se njëri do të jetë në seancë publike.

Më 18 prill, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës ua kanë vazhduar masën e paraburgimit ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës (UÇK) – Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli – ndërsa trupi gjykues konstatoi se ekziston rreziku i pengimit të procesit gjyqësor.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët – Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – dhe ish-deputetit kosovar, Rexhep Selimi, akuzohen për vrasje, torturë e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën midis viteve 1998–1999.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës.

Por, katër të akuzuarit e Speciales e kanë mohuar çdo pretendim të Prokurorisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore