Gjykata Speciale

Dëshmitari Mark Shala: U largova nga ushtria e Kroacisë për t’u bashkangjitur në UÇK në mars të 1999


Dëshmitari Mark Shala.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është duke dëshmuar dëshmitari i pestë i mbrojtjes, Mark Shala, në gjykimin ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.

Pjetër Shala nuk është prezent fizikisht në seancën gjyqësore, mirëpo është i pranishëm përmes video-lidhjes.

Dëshmitari Mark Shala, fillimisht është pyetur për vendbanimin e tij, ai ka thënë se jeton në Kosovë, por që kohë pas kohe jeton edhe në Kroaci.

“E kam nënshtetësinë e Kosovës, por edhe atë të Kroacisë”, ka thënë fillimisht ai.

Avokati i Pjetër Shalës, Mohamed Hedi Aouini, e ka pyetur dëshmitarin Shala për rolin e tij në Forcat e Sigurisë së Kosovës, pjesëmarrjen e tij në ushtrinë kroate si dhe pjesëmarrjen e tij në ushtrinë e ish Jugosllavisë.

Ai u shpreh se ushtrinë kroate e kishte lëshuar në kohën kur kishte pasur mundësi t’i bashkohet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pasi që gjykatësja ka kërkuar nga avokati që të flitet më shumë për rolin e Time Kadrijaj në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, seanca ka kaluar në të mbyllur.

Avokati i Pjetër Shalës, Mohamed Hedi Aouini.

Intervistimi i dëshmitarit Mark Shala nga mbrojtja e Pjetër Shalës

Mohamed Hedi Aouini: Ju përmendet se kishit një rol në Forcat e Sigurisë në Kosovë, a mund të na thoni se për çfarë roli e keni fjalën?

Mark Shala: Po, kam kryer disa funksione. Kam qenë në departamentin e Sigurisë një kohë dhe pastaj kam kaluar në kabinetin e ministrit të Forcës së Sigurisë, kam qenë këshilltar politik i ministrit të Forcës së Sigurisë.

Mohamed Hedi Aouini: Çfarë kualifikimesh, apo çfarë studimesh keni kryer ju përpara se të filloni punën?

Mark Shala: Sa i përket shkollimit, shkollën fillore dhe atë të mesme e kam kryer në vendlindje kurse pas shkollës së mesme kam vazhduar akademinë ushtarake të ish-Jugosllavisë, jam regjistruar në Beograd dy vitet e para i kam kryer në Beograd kurse specializimet i kam të përfunduara në Sarajevë në Bosnje dhe Hercegovinë.

Mohamed Hedi Aouini: Pas diplomimit nga shkolla ushtarake, ku e keni kryer shërbimin nga cila kohë dhe në cilën vend?

Mark Shala: Jam caktuar me detyrë në Kroaci dhe aty kam filluar karrierën time si oficer. Nga muaji i tetë 1985 deri në muajin e tetë 1991 kam punuar me armatën e ushtrisë jugosllave.

Mark Shala.

Mohamed Hedi Aouini: Çfarë roli apo titulli keni kryer në atë periudhë?

Mark Shala: Dikund një vjet e 2-3 muaj, pastaj kam punuar në departamentin e logjistikës deri në mbarim të karrierës.

Në vitin 1998 na thatë që ishit në Sarajevë, na thoni çfarë posti i patet aty nga viti 1991 e këtej?

Mark Shala: Deri në vitin 1991 kam qenë si pjesëtar i Ushtrisë së Jugosllavisë, por në atë kohë në Kroaci kanë filluar këto luftimet. Kroacia ka qenë e sulmuar nga ana ushtrisë jugosllave dhe serbe dhe unë atëherë e kisha braktisur armatën jugosllave dhe kam kaluar në armatën e Kroacisë.

Mohamed Hedi Aouini: Në cilin moment dhe në çfarë date ju bashkuat ushtrisë kroate dhe çfarë posti?

Mark Shala: Fillimisht, pasi që e kam braktisur armatën jugosllave nga fundi i muaji i tetë 1991 për një kohë kam shkuar për ta larguar familjen time që në atë kohë ishte në Kosovë. Ka qenë bashkëshortja ime dhe dy vajza ata i kam larguar nga aty pasi që ishin të rrezikuar edhe ata, por edhe mua.

Pasi që unë nuk e kam lëshuar armatën jugosllave me vetëdëshirë, por e kam braktisur dhe kam qenë i kërkuar nga organet shtetërore. I kam marrë familjen dhe përmes Shkupit, i kam dërguar deri në Zvicër.

Mohamed Hedi Aouini: Sa kohë keni shërbyer në ushtrinë kroate, nga viti 92 deri kur?

Mark Shala: Nga viti 1992 deri në vitin 1999.

Mohamed Hedi Aouini: Çfarë roli apo funksioni keni kryer në ushtrinë kroate?

Mark Shala: Detyra të ndryshme, një kohë kam qenë në operativ pas një kohë sërish kam kaluar në atë specializimin tim që e kam pasur nga akademia kam kaluar në departamentin e logjistikës.

Mohamed Hedi Aouini: Në çfarë rrethana e keni ndërprerë shërbimin në ushtrinë kroate?

Mark Shala: Ushtrinë e Kroacisë, e kam ndërprerë në atë moment kur më është kërkuar apo kur janë bërë kushtet që ta lëshoj atë armatë dhe t’i bashkëngjitëm Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. UÇK-së i jam bashkuar dikund ka fundi i muajit mars 1999.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore