Boterori 2022

Deschamps tregon si të mposhtet Maroku


Franca do të ballafaqohet me surprizën e këtij Kampionati Botëror, Marokun, në gjysmëfinale.

Trajneri i kampionëve në fuqi të botës, Didier Deschamps, foli në konferencën e zakonshme për media, ku theksoi se skuadra e tij do ta gjejë një mënyrë për t’i shënuar Marokut që deri tani ka pësuar vetëm një gol.

Interesant është fakti që edhe ky goli i vetëm i pranuar nga marokenët është shënuar nga vetë ata (autogol) që do të thotë se asnjë kundërshtarë në këtë Botëror nuk ka arritur t’i shënojë atyre.

“Do ta gjejmë një mënyrë, e di që ata kanë kapacitetin për t’u mbrojtur mirë dhe ky është një fakt që e kanë provuar në këtë Botëror”, u përgjigj tekniku francez kur u pyet se si t’i shënohet Marokut.

Deschamps shtoi se lojtarët e tij të do të bëjnë lojën e zakonshme dhe do të provojnë të jenë në zotërim të topit për pjesën më të madhe të ndeshjes.

“Objektivi jonë është t’i vendosim në vështirësi. Sa i takon skuadrës sime, ajo nuk më befason edhe pse për shumë lojtarë është kompeticioni i parë madhor dhe nuk e dija si do të reagonin nga ana emocionale”, shtoi Deschamps.

“Ne nuk ndryshojmë nga ndeshja në ndeshje dhe synimi është të jemi për pjesën më të madhe të kohës në zotërim të topit për të qenë të rrezikshëm dhe për të shënuar”, shtoi trajneri francez.

“Nuk mjafton vetëm kualiteti i futbollistëve dhe nuk ka një recetë për të bërë mrekullitë, duhet t’i përshtatemi kundërshtarit për të fituar në fund”, tha mes tjerash Deschamps.

Kujtojmë që ndeshja mes Francës dhe Marokut do të zhvillohet të mërkuren me fillim nga ora 16:00.

Maroku ishte befasia më e madhe në këtë Botëror, pasi që fillimisht dolën të parët në një grup të vështirë që bënin pjesë Kroacia, Belgjika e Kanadaja, e pastaj eliminuan Spanjën dhe Portugalinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore