Shqipëria

Deputetja e VV-së: Rama e do më shumë Serbinë se Kosovën


Arbëresha Kryeziu

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresha Kryeziu, në një intervistë për “EuronewsAlbania”, ka bërë një deklaratë të rëndë kundrejt kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili të enjten propozoi një draft për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Deputetja Kryeziu pretendon se Edi Rama “e do më shumë Serbinë sesa Kosovën”.

Këto komente ajo i bëri derisa po komentonte draftin e Asociacionit të prezantuar nga kreu i ekzekutivit të Shqipërisë, të cilin ia ka dërguar presidentit francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz.

Sipas saj në situatën aktuale, nuk ka qenë e nevojshme që të vinte një propozim i tillë, pasi që ajo vlerëson se kjo nuk i shërben Kosovës.

“Mendoj që nuk ka qenë fare mirë që në këto momente të na vinte një propozim i tillë prej kryeministrit Rama, pra të themi si person i tretë që po ndërhynë në këtë proces në kuptimin e propozimit të dokumenteve të tilla, personalisht mendoj se nuk i shërbejnë fare Kosovës në këto momente”, ka thënë ajo.

Kryeziu beson që në vend të një propozimi të tillë, Shqipëria sipas saj do të duhej që ta përkrahte Kosovën në veprimet e saj në kuadër të dialogut me Serbinë.

“Unë mendoj se ky veprim nuk do duhej të bëhej fare nga kryeministri Rama, jemi në një pozicion që Shqipëria do duhej ta përkrahte Kosovën karshi veprimeve të veta që ajo po i mbanë sa i përket qasjes me Serbinë tash në kuadër të dialogut. Të mos harrojmë që ky propozimi apo hartimi i këtij draft dokumenti besojë më shumë i shërben Serbisë sesa Kosovës”, potencoi ajo

Tutje, Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme pretendon se kryeministri Rama në vazhdimësi ka treguar afërsinë dhe “vëllazërinë” që e ka me kreun e Serbisë.

“Po flasim për një kryeministër shqiptar që në vazhdimësi e ka treguar qasjen që ai e ka karshi kryeministrit të Kosovës dhe afërsinë e vëllazërinë që ai e ka me Vuçiç-in, d.m.th ka mjaftueshëm arsye për të besuar …”, ka pohuar ajo.

E habitur nga kjo deklaratë e saj, moderatorja e emisionit e ka pyetur nëse “personalisht mendon se Rama më shumë e donë Serbinë se sa Kosovën?”, duke shtuar se “nuk do të doja kurrë që të besoja që një kryeministër i Shqipërisë e do më shumë Serbinë se sa Kosovën”, pasi që thotë se “do të ishte gjëja më e rëndë që do t’i ndodhte popullit shqiptar”.

Por, përkundër kësaj, deputetja e VV-së këmbënguli në qëndrimin e saj, duke potencuar se Rama ka treguar vazhdimisht afirmitet me presidentin serb.

“Sigurisht që e mendoj atë gjë, unë mendoj që zoti Rama në vazhdimësi ka treguar afrimitetin e tij me Vuçiç-in, madje edhe në kohën kur e gjithë kritika, presioni u orientua ndaj Kosovës, ai po ashtu kritikonte Kosovën, ndërkohë që nuk e shija që të njëjtën gjë e bënte edhe ndaj Serbisë”, shtoi ajo.

Ndryshe, në duart e krerëve evropianë ka përfunduar një draft i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Dorëzuesi dhe kontribuuesi ka qenë pikërisht kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe kancelarit Scholz, që janë dy kumbarët e propozimit franko-gjerman një draft të asociacionit, për të cilën kam vënë në dijeni edhe Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, si dhe palën amerikane”, pohoi fillimisht Rama gjatë një konference për shtyp.

Sipas tij, bëhet fjalë për një draft të punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikan dhe evropian prej kohësh, “gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë”.

“Për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës dhe jo i Serbisë që e përsëris, bën atë që ka bërë dhe herë të tjera, palët nuk po merren dot vesh as se kush duhet ta shkruajë këtë tekst e jo më të merret vesh se çfarë duhet të ketë teksti”, shtoi kreu i Qeverisë.

Për Ramën, “nyja Gordiane e dialogut” do të ishte Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“E kam ditur me kohë që nyja Gordiane e dialogut do të ishte deri në fund asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe bindja ime është se asnjëra nga palët nuk e do asociacionin dhe do të bëjë çmos që ta shtyjë atë në pafundësi, duke mbajtur të hapur krizën me lloj-lloj artificash politike apo teknike”, theksoi në vijim kryeministri.

Kryeministri shqiptar vërejti se bëhet fjalë për një dokument konfidencial, i cili pa diskutim nuk pretendon të jetë “zgjidhja ideale”.

“Ju siguroj që është një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e asociacionit dhe patjetër merr në konsideratë që asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës duke adresuar të gjithë rekomandimet apo konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore