Kosova

Deputeti i VV-së: Kosova blinte rrymë nga Serbia në kohën e PDK-së


Armend Muja, deputet i VV-ë në Kuvendin e Kosovës

Blerja e energjisë elektrike në Kosovës nga shteti i Serbisë nuk fillon me qeverisjen e Albn Kurtit, ka thënë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja.

“Importi i rrymës nga Serbia ka qenë zakon gjatë qeverisjes së PDK-së. Me ardhjen e Qeverisë Kurti, Kosova kryesisht nuk blen më rrymë nga Serbia”, ka shkruar Muja në llogarinë e tij në Facebook.

“GEN doo është kompani Sllovene. Kosova në vitin 2021 ka importuar kryesisht nga këto shtete: Sllovenia, Shqipëria, Danimarka, Maqedonia e Veriut”.

Thirrjen e Partisë Demokratike të Kosovës për të themeluar Komisionin Hetimor për energjinë elektrike në Kosovë, Muja ka deklaruar se do ta mbështesë, por duke filluar nga qeverisjet e kaluara.

“Ne gjithsesi duhet të kemi një Komision Hetimor për energjinë elektrike: si PDK e shiti KEDS për 26 milion euro? Si ka mashtruar PDK me kinse investimin e 300 milion euro në rrjet të distribuimit gjatë shitjes së KEDS? Pse PDK-LDK nuk investuan në renovim të Kosova A por importuan rrymë nga Serbia? Si ja dha Qeveria e PDK furnizimin e rrymës për veri EPS (ElektroPrivredaSrbije), Si detyroi PDK qytetarët e Kosovës të paguajnë faturat e rrymës në veri 2013-2016 (shtesë në fatura)! Si ka detyruar PDK në vitin 2017 KOSST të mbuloj faturat e energjisë në veri? Kush nga PDK por edhe të tjerët ka fituar kontratat dhe ka punësuar në KEK 2010-2021?”, ka radhitur pyetjet deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja duke i bashkëngjitur shkrimit edhe një tabelë me përqindjet e blerjeve të energjisë elektrike nga Serbia nga viti 2015 deri në vitin 2021, duke u bazuar në të dhënat e Doganës së Kosovës.

 

Ky reagim i deputetit Muja erdhi dy ditë pas shpërthimit të skandalit të madh financiar në të cilin është i përfshirë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili nga mediet sllovene u raportua se nga një kompani ballkanike GEN-I, dega në Serbi, i transferonte para kompanisë MB Consulting, pronar i së cilës është Martin Berishaj. Ky i tërhiqte paratë nga xhirollogaritë dhe në kesh ia dorëzonte Golob-it.

Berishaj u deklarua vetëm në Facebook. Mohoi se kishte të bënte me shpëlarje parash, por nuk mohoi se është pronar i kompanisë malazeze dhe gjithashtu nuk mohoi pagesat nga kompania e energjisë elektrike GEN-I, dega në Serbi.

“Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshëm në mes akterëve kryesorë politik, i z. Janša dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet TV lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kundër portalit në fjalë, hap rrugë për fjalën e fundit gjykatës”, tha Berishaj në Facebook.

Në të kaluarën, para se të futej në politikë, Golob ishte drejtor i kompanisë së njëjtë në Slloveni.

GEN-I është kompania më e madhe në Ballkan për energji elektrike. Ka dyshime që është e përfshirë me elektro-mafian serbe.

Albanian Post më vonë kuptoi se ekzistojnë edhe dy kompani në Kosovë që pronarë kanë Martin Berishajn. Bëhet fjalë për kompanitë “Myloja L.L.C.” dhe “Zaslon Kosova L.L.C”.

Berishaj në këto kompani kishte partnerë sllovenë, edhe ata të dyshuar për dallavere në të kaluarën në Slloveni.

Presidentja e Kosovës një herë, e pyetur nga gazetarët tha se i “besojmë ambasadorit tonë” në pafajësinë e tij.

Më vonë, presidenca lëshoi një komunikatë zyrtare, ku thuhej se e kanë thirrur ambasadorin të vijë në Kosovë dhe të raportojë për këtë rast.

Albanian Post realizoi një intervistë me gazetarin slloven, Primoz Cirman. Ai tha se skandalin e fabrikoi Janez Jansha (kryeministri aktual i Sllovenisë), ndërsa Berishaj ishte miku i tij, por atë e sakrifiuan duke e bërë pjesë të skandalit që të përfitonin për vete.

Cirman pohoi se “sipas burimeve tona, baza e këtyre informacioneve është se zotëri Berishaj ishte ndërmjetës për kompaninë GEN-i për tregti në Kosovë dhe Shqipëri. Ishte një ndërmjetës lokal edhe ishte paguar me një shumë, apo komision, varësisht nga sasia që kishte shitur kompania. Pse e përmend këtë kompani tani, sepse kjo kompani udhëhiqej nga Golob që tash është kandidat për kryeministër dhe tani është duke udhëhequr sipas sondazheve dhe duket se ka shanse të mëdha të formojë një koalicion qeveritar dhe Golob të bëhet kryeministër. Ky pra është konteksti”.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, publikoi në llogarinë e tij në Facebook një status, ku tha se “duhet të jemi të kujdesshëm ndaj pretendimeve që përveçse janë mohuar nga ambasadori po bëhen në kuadër të një gare elektorale në një vend tjetër”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ai mendon njëjtë siç e ka dhënë komentin zëdhënësi i Qeverisë dhe nuk u përgjigj në pyetjen se “a duhet të shkarkohet Berishaj”.

Portali inFokus publikoi një shkrim, ku tregohej se si Kompania GEN-I me zyrë në Beograd, me të cilën u përfshi emri i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka marrë miliona euro nga buxheti i shtetit, pikërisht në kohën e kolapsit energjetik.

Partia Demokratike e Kosovës doli me një deklaratë për media ku thanë se kanë ditur diçka rreth këtij skandali, por nuk e besonin se kishte zyrtarë të lartë të Kosovës kaq thellë të përfshirë. Thanë se kjo është arsyeja përse Lëvizja Vetëvendosje nuk po lejon themelimin e një komisioni që do zbulonte çfarë ka ndodhur me subvencionet e Qeverisë për blerjen e rrymës në kohën e krizës.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka drejtuar një pyetje Albin Kurtit, ku i kërkon të tregojë se: a është i përfshirë në këtë skandal?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore