Lajme

Deputeti i VV-së akuzon kryetarin e Preshevës për “pozicionim të qartë” në anën e Vuçiçit e Daçiçit


Arber Rexhaj

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arber Rexhaj, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka konsideruar se kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, është “pozicionuar qartë” në anën e Qeverisë së Serbisë dhe kjo, sipas tij, vërtetohet nga seanca e Kuvendit Komunal që u mbajt këtë të diele.

Rexhaj ka thënë se dy asamblistë serbë – Branko Trajkoviç dhe Stefan Andjelkoviç – njëri nga Partia Progresive Serbe që drejtohet nga Aleksandër Vuçiç e tjetri nga Partia Socialiste e Serbisë që drejtohet nga Ivica Daçiç, në këtë seancë e “shpëtuan” atë që të mos rrëzohej nga pozita e kryetarit.

“Branko Trajkoviç dhe Stefan Andjelkoviç, njëri nga partia e Vuçiçit e tjetri nga ajo e Daçiçit e shpëtuan sot Kryetarin e Preshevës që të mos rrëzohej nga pozita. A ky i fundit vazhdon të flasi broçkulla gjithandej kundër Qeverisë së Kosovës e Lëvizjes Vetëvendosje. Pozicionimi i tij është i qartë. Edhe sot u vërtetua”.

Edhe këshilltarja për Luginën e Preshevës në Qeverinë e Kosovës, Ardita Sinani, ka thënë se arsyeja e seancës së 23 korrikut ishte “zgjatja e jetës politike të një individi”, i cili, sipas saj, dirigjohet nga presidenti i Serbisë, ndërsa ka pretenduar se do të dalin “marrëveshje të errëta” edhe me Listën Serbe.

Arifi i reagon Sinanit: Shpifëse dhe gënjeshtare e dëshmuar në Preshevë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore