Lajme

Deputeti boshnjak, Qeverisë: Mos e pranoni Asociacionin me kompetenca ekzekutive – do e humbisni një pjesë të territorit


Deputeti boshnjak, Shemsudin Mehmedoviç, ka theksuar se institucionet e Kosovës nuk duhet që ta pranojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe me elemente të Republikës Serbe sikurse në Bosnjë dhe Hercegovinë.

“Nëse një Asociacioni të tillë do t’i jepeshin kompetenca siç i ka Republika Serbe, ju jo vetëm që do ta humbisni atë pjesë të territorit tuaj, por edhe do të humbisni kontrollin në nivelin qendror, siç është bërë me Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës me marrëveshjen e Dejtonit”, tha ai gjatë një interviste në RTK.

Ai ka theksuar se “ne kemi përvojë të hidhur me disa diplomatë të huaj në Bosnje e Hercegovinë, të cilët gjithmonë kanë qenë në anën e atyre që janë bartës së ideve politike të asaj çfarë ka ndodhur në Srebrenicë”, shtoi ai.

“Për fat të keq ata diplomatë sot veprojnë në  çështjen e Kosovës dhe jam shumë skeptikë kur është në pyetje aktiviteti i tyre diplomatik dhe dëshira për gjetjen e një zgjidhje për të mirën e të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë”, ka shtuar ai.

Mehmedoviç, ka folur edhe për gjenocidin që forcat serbe kryen 28 vite më parë mbi popullatën civile në Srebrenicë.

“Në vitin 1995 kur ka ndodhur gjenocidi në Srebrenicë me vëmendje të veçantë kemi dëgjuar me radiolidhje ngjarjet që po zhvilloheshin atje. Ne nuk i kishim informacionet para rrethimit të Srebrenicës. Ato na ishin këputur dhe krejt çka kishim informacion ishin radiolidhjet për t’u informuar për atë se çfarë po ndodhte atje”, ka treguar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore