Kosova

Dënimet në pandemi: Policia vazhdon shqiptimin e gjobave, PSD kërkon faljen e tyre


Në të shtunën e 29 majit në Kosovë, numri i shqiptimit të gjobave ndaj qytetarëve për shkak mos respektimit të masave anti-COVID është gjithsejtë 398.

Kështu thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Sipas statistikave nga ky raport, “që nga 25 maji e deri më 29 maj (brenda pesë ditëve), numri i gjobave të shqiptuara në bazë të ligjit të pandemisë COVID-19, ka arritur në dy mijë e 383”.

Prej fillimit të pandemisë e deri më 29 maj, janë mbi 202 mijë gjoba të shqiptuara kundër qytetarëve që kanë shkelur masat anti-COVID.

Këto dënime po synohen të falen përmes një peticioni të ngritur nga Partia Socialdemokrate, e cila ka arritur që për një javë të grumbullojë rreth katër mijë nënshkrime të qytetarëve në qytete të ndryshme të Kosovës.

Një nismë e tillë, për t’u dërguar për trajtim në Kuvendin e Kosovës, duhet t’i ketë së paku 10 mijë nënshkrime.

Ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 parasheh dënime nga 35 deri në dy mijë euro për të gjithë ata që shkelin masat e vendosura nga institucionet.

“Personi fizik i cili nuk respekton vendimin e Organit Kompetent për mbajtjen e maskës, dënohet me gjobë prej 35 euro. Personi fizik i cili nuk respekton vendimin e Organit Kompetent për mbajtjen e distancës fizike, dënohet me gjobë prej 35 euro”.

Kurse personi juridik që organizon aktivitete të ndaluara me vendim të Organit Kompetent dënohen me gjobë prej dy mijë euro dhe ndalimin e aktivitetit, ndërkaq personi përgjegjës i personit juridik dënohet me gjobë me dymijë euro.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, nga 26 gushti i vitit të kaluar e deri më 24 maj të këtij viti, më së shumti gjoba janë shqiptuar në Prishtinë, gjithsejtë 52 mijë e 577 gjoba, duke u pasuar nga Prizreni, Peja e Ferizaj.

Që nga mesi i muajit mars të vitit 2020 e deri më tani, në Kosovë kanë vdekur dy mijë e 243 pacientë nga COVID-19.

Numri total i rasteve pozitive është 107 mijë e 382, ndërsa numri i rasteve aktive është dy mijë e 487.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore