Lajme

Demokratët suedezë pezullojnë një zyrtare për komentet fyese ndaj Anne Frank


Në Suedi, një zyrtare e Demokratëve është pezulluar nga partia e ekstremit të djathtë për komentet degraduese ndaj Anne Frank.

Rebecka Fallenkvist, përmes një postimi në Instagram që tani është fshirë, e ka quajtur ndër të tjera Frank si “imorale”.

Autorja e ditarit të shkruar teksa fshihej në Amsterdam para se të kapej, vdiq në moshën 15-vjeçare në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen të Gjermanisë naziste në shkurt 1945.

Postimi nga Fallenkvist, një drejtuese 26-vjeçar e programeve televizive për Demokratët e Suedisë, ka shkaktuar reagime të forta nga grupet hebraike dhe ambasadori izraelit, Ziv Nevo Kulman.

Ky i fundit ka shkruar në Twitter se e dënon fuqimisht këtë “fyerje të neveritshme”, duke mos respektuar kujtimin e Ana Frank.

Kurse drejtori i medias së Demokratëve suedezë, Oskar Cavalli-Bjorkman, ka thënë se partia do t’i merrte seriozisht komentet “e pandjeshme dhe të papërshtatshme” të Fallenkvist.

Dhe se do të nisë një hetim të brendshëm.

Demokratët e Suedisë u themeluan në vitet 1980 nga njerëz që kishin qenë aktivë në grupet ekstremiste të djathta, duke përfshirë neo-nazistët.

Partia doli si partia e dytë më e madhe e Suedisë në zgjedhjet e 11 shtatorit nën udhëheqjen e Jimmie Åkesson.

Më herët, tre parti suedeze të qendrës së djathtë kanë rënë dakord të formojnë një qeveri koalicioni me mbështetjen e demokratëve suedezë, e cila ka lëvizur drejt politikës kryesore.

Ama ajo ruan një linjë të ashpër për imigracionin.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore