Shqipëria

“Deklaratat e Bardhit janë të tejmbushura me gënjeshtra”


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në median sociale “Facebook” ka kundërshtuar mbi deklaratën e deputetit të Partisë Demokratike (PD), Gazmend Bardhi, në lidhje me vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet e 30 qershorit 2019.

Mbrëmjen e 24 janarit, Bardhi ka folur në një emision televiziv lidhur me zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit 2022 dhe mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet e 30 qershorit 2019.

Deputeti dhe njëkohësisht sekretari i Përgjithshëm i PD-së ka deklaruar se “Kjo gjykatë (Gjykata Kushtetuese) nuk i ka legjitimuar zgjedhjet e 30 qershorit. Nuk ka thënë se këto zgjedhje ishin kushtetuese apo të ligjshme. Ka thënë se subjekti, që vë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të ishte shoqata e bashkive, por presidenti i Republikës, duke dhënë kështu mundësinë presidentit që ta inicionte procesin në këtë gjykatë. Pra, gjykata nuk i ka hyrë thelbit të çështjes”.

Sipas Metës, Bardhi gënjen kur thotë që “subjekti që vë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të ishte shoqata e bashkive, por presidenti i Republikës, duke dhënë kështu mundësinë e presidentit që ta inicionte procesin në këtë gjykatë”.

Presidenti ka ftuar publikisht Bardhin që të gjejë dhe “të lexojë se në cilin paragraf Gjykata Kushtetuese e paska shkruar saktësisht atë që ai deklaron se gjoja po të ishte paraqitur kërkesë nga Presidenti, Gjykata do t’i shpallte antikushtetuese zgjedhjet e 30 qershorit?!”.

Sipas kreut të shtetit, deklarimet e Bardhit “janë të tejmbushura me gënjeshtra”.

Sipas Presidentit, arsyeja përse sekretari i Përgjithshëm i PD-së gënjen është sepse do “t’i ikë përgjegjësisë që ka lidershipi i Partisë Demokratike për situatën e braktisjes së zgjedhjeve për pushtetin vendor 2019”.

Më tej, Meta ka sqaruar (duke përmendur edhe emrin e Lulzim Bashës) se Presidenti i Republikës “nuk është as subjekt zgjedhor, as përfaqësues i ndonjë partie garuese në zgjedhje, dhe as hyn në llojin e atyre institucioneve që kanë për detyrë që, sa herë ka garë elektorale, t’i ndjekë nëpër gjykata Partitë Politike, apo të mbrojë interesat e ndonjë force politike të caktuar”.

Presidenti shton se ajo çka është shkruar më sipër është detyrë e forcave politike, të cilat duhet të ekzistojnë “për të shëndoshur dhe ruajtur demokracinë dhe që duhet të bëjnë gjithçka për realizimin e një procesi zgjedhor kushtetues”.

Meta thekson se, në mungesë të një vendimi të themeltë nga Gjykata Kushtetuese dhe pas shpalljes së vetes si jo kompetente prej saj, Presidenti i Republikës i bindet vetëm Kushtetutës së Shqipërisë dhe interesit të qytetarëve shqiptarë në ato 6 Bashki që sot janë pa kryetar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore