Lojëra

Deep Nostalgia rigjallëron fotografitë e vjetra


Deep Nostalgia, shërbim i mbështetur tek inteligjenca artificiale, është shndërruar në kryefjalën e postimeve në platformën Twitter përmes rigjallërimit të fotografive të vjetra në formatin video.

The Verge, faqe kushtuar të rejave teknologjike, tregon se shërbimi i përket kompanisë gjenealogjike në internet të quajtur MyHeritage.

Programi i zhvilluar prej saj përdor inteligjencën artificiale për të krijuar efektin e lëvizshmërisë te një fotografi e palëvizshme.

“Deep Nostalgia mund të marrë fotografi nga çdo aparat fotografik dhe t’i sjellë ato në jetë”, shpjegon The Verge, duke shtuar se programi përdor video të lëvizjeve të fytyrës të regjistruara paraprakisht dhe vë në zbatim atë që përshtatet më mirë me foton përkatëse.

Qëllimi kryesor i programit është sjellja e fotografive të të dashurve të afërm, duke i parë portretet e tyre në veprim.

Lidhur me funksionimin, fillimisht përdoruesit duhet të regjistrohen nëpërmjet hapjes së një llogarie pa pagesë në MyHeritage. Më tej, nevojitet që përdoruesit të ngarkojnë fotografinë dhe procesi i krijimit të një video të shkurtër të fotografisë lëvizëse automatizohet.

Për përdoruesit që janë të shqetësuar për sigurimin e fotove të ngarkuara prej një pale të tretë, faqja shprehet qartësisht se fotot e ngarkuara fshihen automatikisht pa u mbyllur regjistrimi, në mënyrë që të mbrohet privatësia e përdoruesve.

Mirëpo, programi përtej synimit të tij, nuk i shpëtoi fenomenit të meme-ve në platformën Twitter. Një nga më të çuditshmet është realizuar nga një arkeolog, i cili, përmes fotografimit të statujave, i ka bërë ato të lëvizin.

Sipas The Verge, Deep Nostalgia është krijuar vetëm për fytyrat njerëzore dhe përdoruesit mund të ngarkojnë deri në pesë fotografi pa pagesë dhe, më pas, duhet të kryejnë regjistrimin për llogari me pagesë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore