Gjykata Speciale

Dedaj, Speciales: Mos më përmendni rrahjet, ma shkatërroni sërish jetën dhe ma rrezikoni jetën fizike


Ish ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj.

Ish ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, është duke e vazhduar dëshminë e tij në Gjykatën Speciale ku është pyetur nga prokurorja rreth rrahjes që i kishin ndodhur atij nga pjesëtarë të UÇK-së në Qirez të Skenderajt, gjatë vitit 1998.

Dedaj, ka thënë se pyetjet që po i bën Specialja kanë qëllim shkatërrimin e jetës së tij sërish.

“Protestoj ashpër dhe më lejoni të protestoj, ma ruani dinjitetin tim njerëzor dhe familjar. Unë e kam një moshë të shtyrë, kam përjetime tepër të vështira, të papërshkrueshme dhe të pabesueshme. Dhe me këtë që ju ma përmendet rrahjen ju ma shkatërroni sërish jetën dhe ma rrezikoni edhe jetën fizike”, ka thënë ai.

Nga gjykatësi është kërkuar që Dedaj të përgjigjet në pyetjet që po i bëhen atij.

“Stupca prej drurit e kanë ekzagjeruar, s’ka qenë e vërtetë. Ju nuk po më leni të sqaroj prandaj po mbesin përgjigjet e cunguar apo të keqkuptuara. Këto deklarata i kam dhënë në gjendje të rëndë, në gjendje të vështirë dhe shumë herë i kam ekzagjeruar sepse nuk e kemi ditur që këto do të bëhen temë për sot as që do të ketë gjykatë kundër Kosovës”.

Ai ka sqaruar se ka dyshime që pjesëtarët të jenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Truri im, edukata ime, niveli im nuk e beson që kanë qenë pjesëtar të UÇK-së. S’ma merr mendja, por kush e ka nxitur, s’mund të spekulojë. Është e pandershme. Kjo është e vërteta, as s’kanë përdorur hekura, e as drurë. Po bisedoni me një njeri tepër të veçantë dhe të jashtëzakonshëm”.

Dedaj ka theksuar se askush s’mund ta rrahë, duke theksuar se kurrë s’ka pasur probleme me njerëzit e UÇK-së.

“S’ka shqiptar në Kosovë që do të ngrehte dorë në mua. Nuk jam njeri që dikush duhet të bëjë dhunë ndaj meje. Mua s’mund askush të më rrah”.

“Asnjëherë në jetën time as s’kam rrahur askënd dhe as s’më ka rrahur askush”.

Ndërsa, ka deklaruar se s’ka mundur që të vëzhgoj situatën gjatë gjithë kohës, sepse s’ka qenë i informuar që do t’i duhet të dëshmojë pas 25 vjetëve.

“Kjo çka po kërkoni ju është shumë e rëndë, është e pamundur. Unë s’kam mundur të rri dhe të xhiroj me sy dhe ta tregoj pas 25 vjetëve. Kjo më vendos mua në pozitë shumë të vështirë, sepse unë kam fëmijë, kam familje, gruan e kam të sëmurë. Qe 25 vjet ne jemi të sëmurë, sepse çdo vit unë fyhem dhe kërcënohem nga persona, unë s’kam pasur dëshirë as të jem gjallë as sot nuk jam dëshirë të jem gjallë”.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Gjergj Dedaj në një deklaratë të vitit 2014 kishte thënë se gjatë rrugës për në Baicë, në makinë ishte me Rexhep Selimin.

Kurse, tani gjatë dëshmisë së tij, Dedaj tha se makina drejtohej nga Sylejman Selimin dhe se ka qenë edhe dikush tjetër, por që nuk iu kujtohet se kush ka qenë.

“Më kujtohet që makinën e ka drejtuar Sylejman Selimi. Ka qenë edhe dikush në makinë, por nuk më kujtohet se kush ka qenë”, tha Gjergj Dedaj.

Prokurorja ia kujtoi deklaratën e dhënë për ZPS-në në vitin 2014, ku kishte thënë se në makinë kishte qenë me Rexhep Selimin, Kurse, Dedaj tha se nuk ishte i sigurt nëse ishte Selimi dhe se ai person është sjellë me të sikur me prindin e tij.

“Tash jo pse Rexhep Selimi, është këtu sepse ju mund të mendoni se jam subjektiv, por ai person që ka qenë me mua nuk jam i sigurt që ka qenë Rexhep Selimi, është sjellë me mua sikur me prindin e vet. Nuk e kam njoftur Rexhep Selimin, nuk e kisha parë kurrë në jetën time”, tha Dedaj.

Tutje, prokurorja e pyeti Dedajn se a i kujtohet që ka thënë se në makinë e ka pyetur Sylejman Selimin se kush ishte ky personi me ju dhe ai është përgjigjur me fjalën “Guri”.

“Ju jeni përgjigjur: E pyeta Selimin, ai u përgjigj “Guri”, e pyeti ku ishim në cilin fshat, ai u përgjigj që nuk kisha të drejtë të bëja pyetje se isha nën arrest, a iu kujtohet kjo”, tha prokurorja.

Kurse, Dedaj u përgjigj se nuk iu kujtohet ta këtë thënë këtë gjë.

Dedaj në Speciale: Mes UÇK-së dhe institucioneve politike ka pasur mos-koordinim, nga Serbia kam stenta në zemër dhe kam humbur 12 familjarë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore