Gjykata Speciale

Dedaj në Speciale: Mes UÇK-së dhe institucioneve politike ka pasur mos-koordinim, nga Serbia kam stenta në zemër dhe kam humbur 12 familjarë


Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj.

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj në Gjykatën Speciale ka dhënë dëshminë e tij në seancë publike.

Dedaj, është pyetur nga prokurorja në emër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Deborah Mayor, për arsimin që ka përfunduar, për sulmet e Serbisë në Kosovë dhe për lëndimet që ka marrë gjatë kohës së luftës.

Ai ka thënë se për shkak të Serbisë, në zemrën e tij ka të vendosura stenta, teksa ka humbur 12 anëtar të familjes nga Serbia, në mesin e tyre dy të mitura.

Dedaj, është pyetur edhe për përfshirjen e tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai është pyetur se a ka pasur tensione edhe mes UÇK-së dhe institucioneve politike, duke thënë se ka pasur “moskoordinim”.

“Tensione se di a mund të themi por ka pasur moskuptime”.

Ndërsa, ka sqaruar se ka qenë përkrahës i ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, pasi që është themelues i shtetit të Kosovës, teksa ish-presidentin Hashim Thaçi, e ka quajtur lider që e ka mbyllur procesin e Pavarësisë së Kosovës.

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka deklaruar se është “pishman” për një pjesë të dëshmive që i ka dhënë pasluftës në lidhje me zhvillimet e vitit 1998.

“Në 90 për qind të deklarimeve që i kam bërë pasluftës s’kam qenë normal dhe në gjendje për të thënë të vërtetën. Jam i gatshëm të ballafaqohem me çdo gjë. Jam kufomë, s’kam asnjë vlerë. Nuk e di pse jam gjallë, unë nuk ligështohem, jam i guximshëm dhe jam i përgatitur për të dhënë jetën”, ka thënë Dedaj.

Intervistimi i Gjergj Dedaj nga prokurorja Deborah Mayor.

Prokurorja: Cili është arsimi më i lartë që keni marrë?

Gjergj Dedaj: Drejtimi i Sociologjisë në fakultetin e Filozofisë dhe kam përfunduar studimet në fakultetin Jurdik drejtimi i Administratës Politike, studimet pas universitare.

Prokurorja: A keni qenë profesor ju nga periudha 1984 deri në vitin 1988, afërsisht në vitin 1991 a u bëtë kryetar i një partie politike në Kosovë?

Gjergj Dedaj: Kemi formuar Partinë Liberale, fillimisht kam qenë sekretar i përgjithshëm, ndërsa në vitin 1993, jam zgjedhur kryetar i Partisë Liberale të Kosovës.

Prokurorja: Në vitin 1998, hoqe dore nga mësimdhënia dhe fillove një karriere në pozicionin e shërbimit publik?

Gjergj Dedaj: Për arsye se Serbia ishte intensifikuar terrorin dhe gjenocidin mbi popullin e Kosovës, posaçërisht mbi popullatën civile ishim të detyruar që të heqim dorë nga mësimdhënia dhe gjithë kohës kapacitet e mija janë vënë në dispozicion në radhë të ndërkombëtarizimit të çështjes dhe të vërtetës së Kosovës.

Pastaj edhe me organizimin e jetës aty ku kemi mundur sepse tashmë ishin mbyllur shkollat shqipe, universitetet shqipe, ishin përjashtuar punëtorët shqiptarë nga puna dhe kishim dëshirë që ta mbanim jetën sado kudo në ato rrethana, kushte të rregullta që kanë qenë shumë të vështira dhe kjo ka qenë arsye përse unë jam larguar nga procesi mësimor.

Prokurorja: Kur e latë mësimdhënien, a filluat të kishit disa poste politike, si deputet, ministër dhe pastaj si ambasador?

Gjergj Dedaj: Gjatë luftës, në radhë të parë kam qenë organizator i të gjitha demonstratave kundër kriminelit dhe kasapit të Ballkanit Millosheviç. Kam organizuar në Prishtinë, 60 demonstrata të të cilave të gjithave ju kam prirë që të mundem ta sensibilizoj çështjen e Kosovës dhe të solidarizohem me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe t’i bëj thirrje NATO-s në mënyrë që ta shpëtoj Kosovën – popullin e pafajshëm.

Në 98 i kemi mbajtur edhe një palë zgjedhje që kanë qenë të diskutueshme, për vetëm e vetëm që ta kemi një adresë që kur të vinë delegacione ndërkombëtare në Kosovë të kenë me kënd të diskutojnë.

Në Kuvendin e atëhershëm të Kosovës kishin fituar 6 deputetë dhe unë isha zgjedhur njëri nga nënkryetarët e atij Kuvendit dhe kjo është faza më kritike për të ardhmen e Kosovës.

Në 2004, kam fituar ulësen si deputet në Kuvendin e Kosovës, kur është themeluar Këshilli Tranzitor i Kosovës, kam qenë anëtar. Zëvendësministër në disa dikaster, së fundmi zëvendësministër i jashtëm në Republikën e Kosovës dhe krejt në fund kam qenë ambasador i Republikës së Kosovës që jam larguar dhunshëm, brutalisht dhe politikisht nga e ashtuquajtura presidente Osmani për qëllime politike sepse në vend timin e ka dërguar burrin e saj.

Prokurorja: A keni qenë ndonjëherë anëtar i LDK-së?

Gjergj Dedaj: Jo, s’kam qenë dhe asnjëherë s’do të jem.

Prokurorja: A ke qenë ndonjëherë anëtar i UÇK-së?

Gjergj Dedaj: Nuk kam qenë sepse nuk kemi pasur gjithë atë guxim dhe atë privilegj që të jem anëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjergj Dedaj: Zotëri, a keni ndonjë lëndim në krahun e djathtë?

Prokurorja: Unë kam lëndim në zemër, e kam zemrën me tela që ma ka shkaktuar Serbia, kam stenta në zemrën time, kam lëndime në shpirtin tim në qenien time, sepse Serbia i ka vrarë 12 anëtarë të familjes, në mesin e tyre dy të mitur.

Prokurorja: Ju thatë që keni kontaktuar presidentin Ibrahim Rugova, a kishit në atë kohë tensione mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe institucionet të Kosovës?

Gjergj Dedaj: Moskoordinim ka pasur, mosinformim dhe flas për udhëheqjen politike, partitë politike në Prishtinë e kanë shikuar me shumë shqetësim shfaqjen e UÇK-së.

Prandaj, ka pasur individë edhe brenda partive politike të ndryshme të cilat kanë bërë dezinformata kundër UÇK-së dhe personalisht kam pasur dëshirë të shkoj në ato zona duke rreziku jetën tonë.

Prokurorja: A keni qenë përkrahës i presidentit Ibrahim Rugova?

Gjergj Dedaj: Presidenti Ibrahim Rugova është themelues i platformës dhe shtetit të Kosovës, ndërsa lideri i mëvonshëm Hashim Thaçi, është lideri që e ka përmbyllur procesin e Pavarësisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore