Lajme

Daut Haradinaj jep dorëheqje nga pozita e deputetit


Daut Haradinaj në Kuvendin e Kosovës

Daut Haradinaj ka hequr dorë nga mandati i deputetit, fituar në zgjedhjet e fundit në Kosovë.

Haradinaj, deputet i disahershëm në Kuvendin e Kosovës me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ka njoftuar përmes llogarisë së tij në Facebook se dëshiron të lëshojë vend për të tjerët.

“Në rrethanat e reja që jemi, do heqë dorë nga ky mandat për t’i krijuar hapësirë Prof.Dr Shemsedin Dreshajt të jetë deputet”, ka shkruar Haradinaj.

Tjetër arsye për të është edhe pasja “mundësi kohore që të jem më prezent nëpër komunat tona edhe për faktin se do kemi zgjedhje në këtë vjeshtë”.

Haradinaj thotë se “po ma kërkon struktura angazhimin në terren”, për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe “nuk dua ta bëj punën në terren në dëm të mandatit të popullit”.

Ai ka falënderuar qytetarët dhe veçanërisht votuesit e tij, derisa u ka premtuar konsolidim më të madh të AAK-së për zgjedhjet e ardhshme.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës doli në vendin e tretë me mbi 62 mijë vota, apo 7.1 të elektoratit të përgjithshëm.

Vetë Haradinaj mori 13 mijë e 769, duke përfunduar i dyti në listë, pas kryetarit të partisë, vëllait të tij, Ramush Haradinaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore