Jetesë & Stil

Dashuri si në përralla, burri me Alzhemier çon në altar për të dytën herë gruan e tij


Ishte mbrëmje, e shtunë. Ndërsa ata përqafoheshin, Peter pa drejt Lisa-s dhe e pyeti nëse ajo do të martohej me të.

Ajo që 56-vjeçari nuk e mbante mend, ishte se ata ishin martuar tashmë. Diagnostikuar me sëmundjen e Alzheimer-it (sëmundja neuro-degjeneruese, e cila prek kryesisht moshën mbi 65 vjeç), Peter kishte filluar të humbte kujtimet e tij – madje edhe ato të romancës së tij përrallore.

Ai e kishte harruar herën e parë kur u takuan, u mbajtën për dore, shkëmbyen një puthje. Ai, gjithashtu, kishte harruar dasmën e tyre.

“Ne kemi shumë kujtime së bashku, tashmë kemi kujtime të reja. Kjo gjë më dhemb, sepse gjithmonë dua të them, të kujtohet një herë…, por fatkeqësisht Peter s’mban mend asgjë, rreth asaj që ndodhi 20 vjet më parë”, tha Lisa për CNN.

Çifti, të cilët janë martuar për 12 vjet, u takuan si fqinjë në Harrisburg, Pensilvania. Të dy ishin të martuar me partnerë të tjerë në atë kohë dhe ishin të zënë me rritjen e fëmijëve të tyre, por dashuria e tyre bëri që ata të lidheshin tepër fort me njëri-tjetrin.

Kur u pyet se çfarë dashuron më shumë te burri i saj, ajo bëri një pauzë, duke mbajtur lotët.

“Mënyra se si ai më do mua”, tha ajo. “Ai është kaq i sjellshëm, kaq i butë, argëtues dhe romantik. Ai ka qenë gjithmonë kaq i apasionuar pas marrëdhënies sonë”.

Atë mbrëmje Peter ra në dashuri për herë të dytë me gruan e tij, duke i propozuar për martesë.

“Diçka nuk shkonte me Peter-in”

Në vijim, Lisa tregon sesi e kuptoi se diçka nuk shkonte me Peter-in.

“Ai po ndryshonte, kjo ishte e vështirë, dhe të pajtohesha me realitetin e tonë të ri ishte e vështirë”.

Gjithçka filloi kur ai harronte çelësat e tij. Pastaj portofolin. Pastaj ai filloi të harronte fjalët dhe se çfarë kuptimi kishin ato. Disa herë, ai luftonte për të krijuar fjali.

Megjithatë, ajo vazhdonte t’i thoshte vetes se kjo po ndodhte pasi po plakeshin.

“Ishte sekreti im i vogël ta injoroja, derisa miqtë dhe anëtarët e familjes filluan të bënin komente dhe pastaj e dija se ishte diçka e vërtetë”, tha Lisa për CNN.

“Njerëzit që nuk e kishin parë Pjetrin për një kohë menjëherë vunë re se diçka nuk ishte në rregull”.

Pas kontrolleve të shumta mjekësore, më 30 prill 2018, Peter u diagnostikua me sëmundjen Alzheimer.

Sëmundja shpejt ndryshoi jetën e çiftit. Kujtimet, që ata menduan se do të qëndronin me ta për një jetë, u zhdukën shpejt për Pjetrin. Një nga ato kujtime të dashura ishte dhe martesa e tij.

“Ai ra në dashuri me mua për të dytën herë”

Më 12 dhjetor 2020, ndërsa Peter dhe Lisa u përqafuan së bashku duke parë serialin televiziv “New Girl”, një skenë e përzemërt martese e bëri atë të qajë.

Peter vuri re lotët e saj dhe filloi të qeshte, para se të tregonte në ekran dhe të thoshte, “Le ta bëjmë”.

“Si?”

“Të bëjmë çfarë?” tregon Lisa për CNN.

“Le të martohemi”, tha ai me një buzëqeshje të nderur në fytyrë.

“Do të jetë shumë punë”, i tha ai, pa e kuptuar që ai sapo kishte propozuar gruan e tij.

“Ishte kaq prekëse për mua. Ai ra në dashuri me mua për të dytën herë. Ndihem e nderuar. Ndihem si një princeshë, si Hirushja. Unë jam vajza më me fat në botë”, tha Lisa.

Më 26 prill, Peter-i dhe Lisa u gjendën përsëri në altar. Me ndihmën e një specialisti të demencës, i cili gjithashtu drejtoi ceremoninë, të dy ndanë betime të thjeshta.

“Ai ishte shumë i lumtur. Gjatë betimeve, ai vetëm më tha, ‘Lisa, të dua’. Kjo është gjithçka që më duhej”, tha ajo.

Tani për tani, Lisa, e cila drejton një blog për të ndihmuar kujdestarët e tjerë të njerëzve që jetojnë me Alzheimer, është përqendruar te Peter. Ndërsa sëmundja përparon, duke shkaktuar tanimë edhe halucinacione.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore