Lajme

Dallaveret e Nagip Krasniqit: I siguroi kundërligjshëm kompanisë greke tender prej 1 milion e 600 mijë eurove


Albanian Post

Që të sigurohej se një kompani e caktuar do të fitonte tenderin prej mbi 1 milion e 600 mijë eurove, Nagip Krasniqi, kryeshefi i arrestuar i Korporatës Energjetike të Kosovës, kishte obliguar zyrtarët e Zyrës së Prokurorimit, që t’i dërgojnë e-mail njoftues kompanisë greke “ErgoTem SA” para se të hapej tenderi për aplikim.

Kjo është një nga rastet për të cilat Krasniqi, që i është caktuar një muaj paraburgim, po dyshohet për akuzën e “ushtrimit të ndikimit”.

Njoftimi kompanisë greke “ErgoTem SA” – që asnjëherë më parë s’kishte punuar për KEK-un – i kishte shkuar në dhjetor, derisa me 3 mars 2023 kompania fitoi tenderin.

Albanian Post ka siguruar dokumentet për dhënien e kontratës që dëshmojnë shkeljet ligjore në këtë proces dhe ndryshimin e kritereve të tenderit, vetëm që të eliminoheshin kompanitë e tjera dhe të fitonte “ErgoTem SA”, nga qyteti i Mandra në perëndim të regjionit të Atikës në Greqi.

Tenderi këtë herë, ndryshe nga shumica e rasteve, ishte i hapur.

Titulli i kontratës, siç tregojnë dokumentet, ishte “Pllakat Rrëshqitëse në PF, kanalet e mullinjve të thëngjillit”.

Qëllimi i këtij projekti, thuhet në dokumente, ishte “përmirësimi i modifikimit të slloteve në pllakat rrëshqitëse kah ana e kanaleve të aeroperzirjes me qëllim të përmirësimit të dilatimit të kaldajës në këto zona dhe zvogëlimin e fërkimit në këto sllote të kanaleve PF”.

Lenda e kontrates

Që KEK-u të sigurohej se “ErgoTem” e fiton tenderin, për të cilin e kishin njoftuar paraprakisht, kishte caktuar te kushtet e lidhjes së kontratës, që për sigurinë e kërkuar të ekzekutimit, kompania që fitonte tenderin të jepte si garancion 50 për qind të shumës totale të kontratës.

Kjo nënkupton se cilado që të jetë shuma me të cilën do të jepet tenderi, kompania që fiton tenderin obligohet të dorëzojë si garanci te KEK-u 50 për qind të shumës, si sigurim që nëse punët nuk shkojnë siç i parasheh kontrata, KEK të ketë një pjesë të kompensuar.

Kur punimet të kryhen dhe gjithçka është brenda kontratës, KEK-u kthen ato para.

Kushtet ne lidhje me kontraten

Por, një granci kaq e lartë nuk kërkohet asnjëherë, në asnjë tender. Zakonisht, garancia ka vlerën e 10 për qind të shumës së përgjithshme, ose më së larti 15 për qind e kontratës.

Më vonë do kuptohej se kjo përqindje ishte nxjerrur vetëm sa për të larguar ofertuesit e tjerë potencialë, sepse, siç tregon kontrata më pas e nënshkruar mes KEK-ut dhe kompanisë greke, shifra e garancisë ishte ulur në vetëm 15 për qind.

Albanian Post ka siguruar edhe dokumentin e garancisë nga Banka Nacionale Greke dhe për kontratën prej 1 milionë e 621 mijë e 544 euro ishte dhënë garanci vetëm 243 mijë e 231 euro, në vend se të ishte garancia mbi 810 mijë euro.

Garancia nga banka greke

Kjo ndërhyrje e kundërligjshme kishte ndodhur pas shpalljes së fituesit, siç kupton Albanian Post, pikërisht me ushtrimin e ndikimit të Nagip Krasniqit.

Kjo nuk është hera e vetme kur Krasniqi kishte bërë ndërhyrje të tilla për t’iu siguruar tenderë kompanive nga Greqia.

Ai kështu kishte bërë edhe në një rast tjetër, duke i siguruar tender prej mbi 630 mijë eurove kompanisë greke “Tuv Hellas”.

Në kundërshtim me ligjin, pa ekzistuar specifikat e nevojshme, Nagip Krasniqi, kishte vendosur që të shpallë tender njëburimor, ku nuk hapet thirrja për të aplikuar kompanitë me oferta, por vetë KEK-u thërret një kompani të caktuar dhe me të, përmes negocimit të fshehtë, përjashton automatikisht të gjitha kompanitë e tjera që do të mund të aplikonin për tenderin.

Dallaveret e Nagip Krasniqit – Si ia dha kundërligjshëm tenderin mbi 630 mijë euro kompanisë greke

Kjo ishte hera e parë që KEK-u për një shërbim të konsulencës po angazhonte një kompani përmes kësaj forme të tenderimit.

Rastet me kompanitë greke janë vetëm disa nga shumë sish që tashmë janë në dosjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës për Nagip Krasniqin.

Për këto dhe rastet e tjera, Gjykata Themelore në Prishtinë (Departamenti Special) ia ka caktuar masën e paraburgimit Krasniqit prej 30 ditësh.

Ai, përveç akuzave për Ushtrim të ndikimit nga neni 424, dyshohet edhe për Konflikt të Interesit nga neni 417 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe për veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414.

Dallaveret e Nagip Krasniqit – i dha tender kundërligjshëm avokatit të tij, shpalli tender njëburimor për shërbime që veçse i ofronte zyra ligjore brenda KEK-ut

Kush është Nagip Krasniqi?

Nagip Krasniqi ishte anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje për shumë vjet dhe para se të emërohej nga Qeveria kryeshef i KEK-ut, kishte mbajtur pozitën drejtues i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje.

Para se ta merrte drejtimin e KEK-ut, Nagip Krasniqi kishte punuar në dy banka në Kosovë e para se të punonte në sektorin bankar ishte punonjës në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Por, pozita e kryeshefit në KEK nuk ishte e para për të në këtë korporatë.

Nga 2006 deri në vitin 2008 ai kishte punuar në KEK si Drejtor Financiar. Nga aty, sipas raportimeve të kohës, ishte shkarkuar nen dyshime për keqpërdorime dhe mungesë të kompetencës profesionale.

Reagimi i Kurtit për arrestimin e Krasniqit  

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për arrestimin e Nagip Krasniqit, por i është vënë në mbrojtje.

Ai, përkundër njohurive për këto rate të dyshimita, ka vendosur ta sulmojë kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, por nuk ka folur për rastet e keqpërdorimeve të Krasniqit.

“Emri i kundërshtimit të ndryshimit të madh në Kosovë, që është i domosdoshëm në realitetin e njerëzve jo vetëm në kuti të votimit më 14 shkurt 2021 sot është Blerim Isufaj. Ky është thelbi i çështjes”, ka thënë Kurti pa shpjeguar se cili është saktësisht gabimi i Isufajt në këtë rast.

Kurti, duke tejkaluar kompetencat e pozitës së kryeministrit, ka thënë se nuk do ta lejojë, bashkë me presidenten, Isufajn që të bëhet kryeprokuror i shtetit.

“Duan me çdo kusht në çfarëdo rrethane me patjetër të bëhen kryeprokuror por nuk do të munden, nuk do të munden jo pse jam unë, jo pse jeni ju, por pse në këtë shtet ka edhe Republikë edhe popull”.

Në anën tjetër, për Krasniqin ka folur me dhimbje duke u thënë opozitarëve se nuk do të duhej të gëzoheshin për këtë rast, sepse ata po i sheh edhe Nagipi duke u gëzuar.

“Nagip Krasniqi është ne burg, dënim me vdekje në Kosovë nuk ka dhe me siguri ai e sheh në televizor këtë gëzim opozitar për arrestimin e tij. Nuk është hera e parë. Nuk është hera e parë që kemi gëzim në sallë të Kuvendit për njerëzit të cilët janë në burg”, tha pakuptueshëm Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore