Lajme

Nagip Krasniqi shfrytëzonte dy banesa, policia i sekuestroi shumë dokumente, llap-top, celular, USB e prova të tjera


Nagip Krasniqi, Kryeshefi i Korporata Energjetike të Kosovës, kishte në pronësi dy banesa, në të cilat taskforca e krijuar nga Policia e Kosovës për këtë rast, nën direktivën e Prokurorisë Speciale, bëri bastisje një ditë më parë, ku gjeti e sekuestroi pajisje elektronike e dokumente të cilat u tha se do të përdoren si prova.

Dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuter, një llap-top, një celular e një USB, janë gjërat që policia i ka sekuestruar në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme, njofton Policia dhe Porkuroria në komunikatën e përbashkët të lëshuar për medie.

Përveç dy banesave të tij, të cilat, sipas policisë gjenden në Prishtinë në lokacione të ndara, bastisje u bë edhe në zyrën e Krasniqit në korporatën Energjetike të Kosovës.

Krasniqi u arrestua nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprat penale  ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ dhe veprën penale ‘’Konflikti i interesit’’.

Të mërkurën, pas arrestimit Krasniqi u dërgua në mbajtje për 48 orë, por akoma pa përfunduar kjo masë e sigurisë, Prokuroria Speciale e Kosovës të enjten ka kërkuar që ai të paraburgoset.

Kërkesën, PSK, e ka bërë në Gjykatën Themelore të Prishtinës-Departamenti Special, me arsyetimin se ekziston dyshimi i bazuar se ai ka kryer disa veprat penale.

Ish-drejtuesi i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, Nagip Krasniqi i cili udhëhoqi pozitën e Kryeshefit në Korporatën Energjetike të Kosovës, dyshohet se keqpërdori në një tender prej 3.4 milionë euro me kompaninë “Litëin SA” dhe partnerin vendor “Bujar B. Shala B.I.”, për tenderin rreth kryerjeve të punëve për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”.

Arrestimi i Krasniqit bëri bujë të madhe në Kosovë.

Kjo, duke ngjallur debate të shumta rreth keq menaxhimit në Korporatën Energjetike të Kosovës, lënien jashtë funksionit “qëllimshëm” disa blloqe të cilat prodhojnë rrymë e deri tek shpalosja e deklaratës së tij në seancë të Kuvendit, deri sa po intervistohej nga Komisioni Hetimor Parlamentar për Energjinë Elektrike në vend.

“Kur ne i thonim se si vepron një Kryeshef i Korporatës Energjetike të Kosovës në kundërshtim me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike, ai thoshte “kështu jam unë”, “këto janë rregulla të cilat i përcaktoj unë sepse unë e drejtoj Korporatën Energjetike të Kosovës”, ka deklaruar Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, njëherit anëtarë i këtij Komisioni hetues.

“I njëjti, ka subvencionuar faturat e energjisë elektrike pa vendim të bordit, që nuk mund të ndodhë, drejt një kompanie private siç është KESKO dhe KEDS. I njëjti ka iniciuar tenderë njëburimor si drejtues i kompanisë energjetike më të madhe në vend të prodhimit të energjisë elektrike. I njëjti ka ushtruar ndikim mbi personat zyrtar, i njëjti ka pas konflikt interesi. Të gjitha këto janë raportuar në Komisionin Parlamentar në kuadër të Komisionit Hetimor Parlamentar në të cilin ne i kemi diskutu”, numëroi disa nga gjetjet e Komisionit Hetimor Parlamentar për Energjinë Elektrike, ndaj Nagip Krasniqit.

Kryeministri i Kosovës në seancë plenare të Kuvendit, gozhdoi Kryeprokurorin e prokurorisë Speciale, Blerim Isufajn, duke e quajtur të padëshiruar nga “tre krerët e shtetit”, për mandatin e Kryeprokurorit të Shtetit, pozitë kjo akoma vakante për më shumë se një vit, për të vazhduar pastaj që, “është sistemi i drejtësisë ai që merret me të. Kjo çështje ka fakte dhe ato, ne urojmë e shpresojmë që të merren me profesionalizëm e përpikëri”.

Ish kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, kërkoi nga kryeministri, Albin Kurti që t’i besoj ligjit dhe drejtësisë së Kosovës.

“Nuk besoj që është besnikëri me marrë pozicion të gabuar në interes të përgjithshëm. Ne në luftë ne jemi vrarë, jemi plagosur, disa nuk janë këtu, disa jonë në burgje për çështjen tonë kombëtare edhe sot”.

Pas shumë diskutimeve në Seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, për arrestimin e Kryeshefit të KEK-ut, Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i kërkoi kryeministrit që ta shkarkonte Krasniqin nga detyrat dhe përgjegjësitë publike, deri sa është duke u hetuar e në paraburgim.

Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur në pushtet me premtimin për luftimin e korrupsionit, por deputetët e kësaj partie, një ditë më parë e kanë kritikuar arrestimin e kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, pasi i njëjti u arrestua nën dyshime për korrupsion.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore