Lajme

Dallaveret e Nagip Krasniqit – i dha tender kundërligjshëm avokatit të tij, shpalli tender njëburimor për shërbime që veçse i ofronte zyra ligjore brenda KEK-ut


Të mërkurën u arrestua drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi dhe përveç dyshimeve të tjera, siç ka kuptuar Albanian Post, ai akuzohet edhe për konflikt interesi për dhënien e një tenderi me procedurë të kundërligjshme zyrës së avokatit të tij personal në vlerë prej 60 mijë eurosh.

Përkundër se pjesë përbërëse e KEK-ut është edhe zyra ligjore që trajton lëndët, korporata kishte shpallur tender, me kërkesë të drejtorit Krasniqi, për angazhimin e një zyre ligjore të jashtme.

Sipas lëndës së kontratës, titulli i kontratës ishte “Angazhim i Kompanisë Ligjore”.

Tenderi, siç e kërkojnë procedurat, fillimisht ishte i hapur.

Por, i njëjti më pas ishte anuluar nën arsyetimin se “një dispozitë në Ligjin e Prokurorimit Publik kërkon anulimin e aktivitetit të prokurorimit”.

Njoftimi per Anulimin e Kontrates

Siç do kuptohej më vonë, tenderi do të anulohej vetëm për t’u hapur më pas përsëri si tender njëburimor.

Tenderi njëburimor nënkupton që KEK-u do të ftonte një kompani të caktuar dhe të nënshkruante kontratën direkt me të me negocim të fshehtë duke përjashtuar automatikisht të gjitha kompanitë e tjera të avokatisë që do të mund të aplikonin për tenderin.

Sipas Ligjit për Prokurorimin Publik, Neni 35 “Procedurat e negociuara pa publikimin e njoftimit të kontratës”, tender njëburimor mund të jepet vetëm atëherë kur “për arsye objektive dhe të detyrueshme teknike ose artistike, kontrata duhet t’ jepet një operatori të caktuar ekonomik”, ose “për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues”.

Siç shpjegohet më tej në Udhëzuesin Operativ të Prokurorimit Publik, kjo lloj procedure e njohur si tender njëburimor ku negociohet pa publikim të njoftimit për kontratë “është një shmangie prej parimeve themelore të çiltërsisë, transparencës, dhe konkurrencës si dhe është procedurë shumë e jashtëzakonshme”.

Udhëzuesi Operativ i Prokurorimit Publik,

Asgjë e jashtëzakonshme nuk ekzistonte në kohën kur KEK kërkonte angazhimin e një zyre për shërbime juridike, përveç faktit se tenderin duhej patjetër ta fitonte një kompani e caktuar.

Bëhej fjalë për kompaninë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C.”

Një nga partnerët e kompanisë, Isuf Zejna, kishte ushtruar rolin e këshilltarit të ministrit të Vetëvendosjes, Arben Vitia, por, siç kupton Albanian Post, ishte pikërisht nga kjo kompani që Krasniqi kishte angazhuar avokat personal kur ishte marrë në pyetje nga prokuroria për hetimet në rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Kështu, Krasniqi kundërligjshëm kishte hapur tender njëburimor me qëllimin e vetëm që kontratën prej 60 mijë eurove t’ia jepte kompanisë së avokatit të tij personal.

Specifikat e kontrates

Për më tepër, edhe në përshkrimin e shkurtër të lëndës së kontratës, pjesa ku tregohet se cili do jetë shërbimi i dhënë nga kompania, del që nuk kishte asnjë lloj shërbimi të cilin tashmë nuk e ofron vetë zyra ligjore brenda KEK-ut.

Në përshkrim, ka edhe fraza komplet të pakuptimta, siç është për shembull ajo ku thuhet se “qëllimi i angazhimit të konsulentit është të jap këshilla në fazat më të hershme”.

Ose të tjera ku thuhet se kompania po angazhohet “të bartë përvojën e tyre më të mirë për stafin e KEK-ut për të marrë përfitimet maksimale”.

Aty nuk shpjegohet as për çfarë përvoje bëhet fjalë dhe për çfarë përfitimesh maksimale.

Ky rast përbën vetëm një nga shumë lëndë që tashmë janë në dosjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës në rastin e Nagip Krasniqit.

Për këtë dhe rastet e tjera, Gjykata Themelore në Prishtinë (Departamenti Special) ia ka caktuar masën e paraburgimit Krasniqit prej 30 ditësh.

Një muaj paraburgim për Kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqin

Ai, përveç akuzave për Konflikti të Interesit nga neni 417 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dyshohet edhe për veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 dhe për Ushtrim të ndikimit nga neni 424.

Albanian Post gjatë ditëve në vazhdim do të shpalosë lënd të tjera për të cilat ekziston dyshim i bazuar që Krasniqi kreu shkelje ligjore.

Kush është Nagip Krasniqi?

Nagip Krasniqi ishte anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje për shumë vjet dhe para se të emërohej nga Qeveria kryeshef i KEK-ut, kishte mbajtur pozitën drejtues i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje.

Para se ta merrte drejtimin e KEK-ut, Nagip Krasniqi kishte punuar në dy banka në Kosovë e para se të punonte në sektorin bankar ishte punonjës në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Por, pozita e kryeshefit në KEK nuk ishte e para për të në këtë korporatë.

Nga 2006 deri në vitin 2008 ai kishte punuar në KEK si Drejtor Financiar. Nga aty, sipas raportimeve të kohës, ishte shkarkuar nen dyshime për keqpërdorime dhe mungesë të kompetencës profesionale.

“Pse po gëzoheni?” – Reagimi i Kurtit për arrestimin e Krasniqit  

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për arrestimin e Nagip Krasniqit, por i është vënë në mbrojtje atij.

Ai ka vendosur ta sulmojë kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, por nuk ka folur për rastet e keqpërdorimeve të Krasniqit.

“Emri i kundërshtimit të ndryshimit të madh në Kosovë, që është i domosdoshëm në realitetin e njerëzve jo vetëm në kuti të votimit më 14 shkurt 2021 sot është Blerim Isufaj. Ky është thelbi i çështjes”, ka thënë Kurti pa shpjeguar se cili është saktësisht gabimi i Isufajt në këtë rast.

Ai, duke tejkaluar kompetencat e pozitës së kryeministrit, ka thënë se nuk do ta lejojë, bashkë me presidenten, Isufajn që të bëhet kryeprokuror i shtetit.

“Duan me çdo kusht në çfarëdo rrethane me patjetër të bëhen kryeprokuror por nuk do të munden, nuk do të munden jo pse jam unë, jo pse jeni ju, por pse në këtë shtet ka edhe Republikë edhe popull”.

Në anën tjetër, për Krasniqin ka folur me dhimbje duke u thënë opozitarëv se nuk do të duhej të gëzoheshin për këtë rast, sepse ata po i sheh edhe Nagipi duke u gëzuar.

“Nagip Krasniqi është ne burg, dënim me vdekje në Kosovë nuk ka dhe me siguri ai e sheh në televizor këtë gëzim opozitar për arrestimin e tij. Nuk është hera e parë. Nuk është hera e parë që kemi gëzim në sallë të Kuvendit për njerëzit të cilët janë në burg”, tha pakuptueshëm Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore