Shqipëria

Dalja e Vjosës/ Balla: Prurja më e madhe në 50 vjet, do të ketë evakuime


“Jemi në një situatë të vështirë, por shpresojmë që në orët në vijim niveli i ujërave të bjeri. Kjo është prurja më e madhe në 50 vjet”.

Kështu është shprehur drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit, Taulant Balla, mesditën e 12 dhjetorit, për sa i përket daljes së lumit Vjosa nga shtrati duke përmbytur disa fshatra në Vlorë dhe Fier.

Nga Fieri ai deklaroi se dhe në vitin 2017 kur reshjet e shiut ishin të dendura dhe ka pasur përmbytje të mëdha.

“Qoftë drejtoria e përgjithshme e Emergjencave civile dhe prefektura dhe bashkia e Fierit kanë njoftuar prej dy tre ditësh situatën që parashikohej”.

Duke parë nga afër situatën Balla theksoi se deri më tani është e përballueshme, por nëse nuk do të ketë rënie të nivelit të ujit forcat e ushtrisë do të bëjmë dhe evakuimin e banorëve – qoftë edhe me forcë.

“Nga ana tjetër do të përpiqemi që të shpëtojmë dhe të gjithë bagëtitë që ndodhen në rrezik” shtoi Balla.

Ky i fundit e mbylli duke përmendur punën e qeverisë në katër vitet e shkuara.

“Dua ta theksoj që investimet në këto katër vite janë duke e treguar efektivitetin e tyre sot. Të gjithë e dimë që prirjet e lumit Vjosa janë të paparashikueshme dhe ka nivelin e vet të rrezikut. Punët që janë bërë deri tani e dhanë efektin”, e përmbylli Ballën me shpresën që intensiteti i reshjeve të shiut do të bjerë.

Më herët ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka bërë me dije se forcat e emergjencës ndodhen në terren duke monitoruar nga afër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore