Shqipëria

Jugu i Shqipërisë i përmbytur, Peleshi: Situata po ndiqet me vëmendje maksimale


“Mbi 75 forca e mjete janë në terren në fshatin Ferras dhe Novoselë për të shmangur çdo rrezik për jetët njerëzore e gjënë e gjallë”.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, për sa i përket situatës në Qarkun e Vlorës dhe të Fierit, ku fshatrat janë përmbytur për shkak të reshjeve të dendura të shiut, dukë shkaktuar daljen e Lumit Vjosa nga shtrati.

Peleshi theksoi se, “efektivë të Forcave të Armatosura janë angazhuar prej orëve të para të ditës në ndihmë të banorëve në fshatin Novoselë, ku dalja nga shtrati e Lumit Vjosa në urën e Mifolit, ka shkaktuar përmbytje”.

Mund të jetë një imazh i 3 persona dhe ambiente të jashtme

Ministri Peleshi e mbylli mesazhin e tij duke ritheksuar se, “po ndiqet me vëmendje maksimale edhe situata në bashkitë e tjera, ku për shkak të reshjeve që vijojnë me intensitet të lartë ka bllokime rrugësh nga bora apo prurjet e shumta të lumenjve”.

Ndërkaq puna vijon puna në terren për të pastruar nga uji disa rrugë në bashkinë Gjirokastër, Dropull e Këlcyrë.

Përveç qarkut të Fierit dhe Vlorës, probleme ka sjellë edhe dalja e lumit Osum në fshatin Verrik në Berat. Për shkak të kësaj në bashkinë Dimal e Kuçovë janë evakuuar disa familje.

Ndërkohë nga Fieri drejtori i përgjithshëm i Emergjencave Civile, Haki Çako, më herët ka deklaruar se, “janë marrë masat për të evidentuar çdo problematikë që kanë pasur banorët në këtë zonë. Dhe jo vetëm, por edhe në Qarkun e Vlorës”.

“Ka kapur nivel maksimal por nuk kemi përmbytje masive”, tha Çako duke shtuar se, “janë evakuuar disa familje ndërkohë procesi po vijon ende”.

Mund të jetë një imazh i 5 persona, njerëz në këmbë dhe bazen uji

Ai bëri me se janë vënë në dispozicion të gjitha emergjencat lokale dhe më tej.

Ai e mbylli fjalën e tij duke thënë se kushtet e motit janë drejt përmirësimit, ku pritet që intensiteti të bjerë dhe lumi Vjosa do të largohet.

Ministria e Mbrojtjes u ka bërë thirrje banorëve në zonat, ku ka probleme të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuim nëse do të jetë e nevojshme.

Situata në Vlorë dhe Fier

Reshjet e dendura të shiut me intensitet të lartë kanë bërë që mëngjesin e 12 dhjetorit niveli i lumit të Vjosës të rritet, duke dalë nga shtrati.

Mund të jetë një imazh i 2 persona dhe ambiente të jashtme

Përkatësisht në Qarkun e Vlorës, Novoselë lumi ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur disa banesa aty. Nga prefekti i zonës është bërë me dije se banorët janë evakuuar nga banesat.

Ndërkohë në vendin e quajtur “Bishti i Malit”, Selenicë, uji ka dalë në akset rrugore dhe ura e Mesaplikut është dëmtuar dhe banorët e zonës kanë mbetur të izoluar.

Në Qarkun e Fierit janë përmbytur serat dhe fermat në Ferras dhe Çerven. Përveç dëmtimit të tokave bujqësore, uji ka hyrë dhe në katin e parë të banesave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore