Kosova

Daçiç: Përkrahja e Kinës ndaj Serbisë për Kosovën e një rëndësie vitale


Ivica Daçiç

Ministri i Punëve të Jashtme të Sërbisë, Ivica Daçiç, në një prononcim për media në kuadër të forumit të tretë “Belt and Road”, i cili zhvillohet në Pekin të Kinës, ka thënë të martën se përkrahja e shtetit kinez ndaj shtetit serb për “çështjen” e Kosovës është e një “rëndësie vitale”, derisa ka shtuar se ka marrë garanci nga autoritetet kineze se do të qëndrojnë krah Serbisë.

“Për ne ka rëndësi kyçe mbështetja e Kinës për çështjen vitale të Kosovës. Është shumë e rëndësishme të thuhet se Kina, sipas presidentit kinez, [Xi Jinping], do të jetë me ne në momente të vështira për çështje të vështira”, ka theksuar kryediplomati serb, derisa ka kërkuar mbështetjen e Kinës në seancës e radhës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkura (OKB).

Kina dhe Rusia kanë qenë hapur në mbështetje të Serbisë gjatë viteve 1990 edhe përkundër faktit që shteti serb ka nisur dhe kryer disa luftëra në rajon, përfshirë edhe luftën e fundit në Kosovë. Intervenimi humanitar i NATO-së në vitin 1999 qe çarja më e madhe ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë e Kinës. Që atëherë, këto dy shtete nuk kanë reshtur së kundërshtuari Kosovën.

Bllokimi i çfarëdo iniciative në Këshillin e Sigurimit të OKB-së – Rusia dhe Kina janë anëtare të përhershme me të drejtë vetoje – për ndryshimin e Rezolutës 1244 është dëshmia më e qartë për qëndrimin kundërshtues dhe malinj të shtetit rus dhe kinez ndaj pavarësisë së Kosovës.

Kina e Rusia nuk kanë pranuar ta njohin pavarësinë e Kosovës, ndërsa Serbia po ashtu ia ka mbajtur anën Kinës dhe Rusisë, duke mbështetur politikat kineze veçanërisht në raport me planet hegjemoniste për Tajvanin dhe politikat hegjemoniste ruse për Ukrainën.

E perspektiva e Serbisë drejt Bashkimit Evropian (BE) është ende e pasigurt. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorvshme ndaj stabilitetit rajonal. Ajo nuk i ka vendosur sanksione Rusisë për agresionin në Ukrainë. Serbia, gjatë gjithë historisë saj, ka marshuar sipas një daulleje krejt të ndryshme nga pjesa tjetër e botës perëndimore.

Opsioni i Këshillit të Sigurimit – konsultime të mbyllura për Kosovën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore