Lajme

Opsioni i Këshillit të Sigurimit – konsultime të mbyllura për Kosovën


Këshilli i Sigurimit

Brazili mund të shqyrtojë opsionin e ndryshimit të formatit të seancës së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për Kosovën nga një konferencë e hapur për publikun, në konsultime të mbyllura për shkak të shmangies së përplasjeve eventuale dhe promovimit të një dialogu më konstruktiv mes Kosovës e Serbisë.

Kështu të paktën thuhet në raportin e organizatës Security Council Raport (SCR), derisa duke marrë për bazë tensionet e fundit gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit më 27 prill mbi situatën në Kosovë, thuhet se përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë po i shfrytëzojnë seancat kryesisht për të promovuar narrativa kundërshtuese për zhvillimet rajonale.

“Të dyja palët përdorën seancën e hapur të Këshillit të Sigurimit për të shtyrë përpara narrativat e kundërta rreth nxitësve të paqëndrueshmërisë rajonale”, thuhet në raportin e publikuar në fund të shtatorit nga organizata jo-profitabile, misioni i së cilës është avancimi i transparencës dhe efektivitetit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që do të mbahet në fund të tetorit, ku ndër çështjet kryesore që do të trajtohen pritet të jenë zbatimi i Marrëveshjes Bazë mes Kosovës dhe Serbisë (Bruksel, 27 shkurt dhe Ohër, 18 mars) dhe sulmi terrorist në Banjë të Zveçanit në veri të Kosovës, përballja do jetë në nivel presidentësh.

Pavarësisht progresit në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE) që synon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thuhet më tej në raportin në fjalë, statusi politik i serbëve në veri të Kosovës ka mbetur një burim tensioni, derisa përmenden kronologjikisht ngjarjet që çuan në përshkallëzimin e situatës.

Në raportin e SCR-së nuk është përfshirë drejtpërdrejtë sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjë, por aty ravijëzohet rrjedha e tensionuar në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë, duke filluar nga sulmi i protestuesve serbë ndaj ushtarëve të Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR) në muajin maj në Zveçan.

Aty gjithashtu përmendet edhe dështimi i raundit të fundit të nagociatave diplomatike nën kujdesin e BE-së në Bruksel, duke shënuar një tjetër dështim në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve armiqësore që kurrsesi të dalin nga situata para-konfliktuale.

“Anëtarët e Këshillit të  Sigurimit janë të bashkuar në mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të krijuar kushte për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Ndarjet e thella midis anëtarëve të përhershëm, megjithatë, kanë vazhduar të karakterizojnë qasjen e këshillit ndaj çështjes”.

Për këtë qëllim, sipas raportit të SCR-së, anëtarët e Këshillit të Sigurimit mund të konsiderojnë miratimin e një deklarate për shtyp duke përshëndetur marrëveshjen e 27 shkurtit për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe duke u bërë thirrje të dyja palëve që të zbatojnë marrëveshjen dhe aneksin e saj në mirëbesim.

“Prioriteti kryesor i Këshillit të Sigurimit është ruajtja e stabilitetit në Kosovë dhe promovimi i de-përshkallëzimit të tensioneve në veri. Ajo do të vazhdojë të monitorojë përpjekjet diplomatike për avancimin e dialogut Beograd-Prishtinë dhe çdo përpjekje drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme për Kosovën”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore