Sport

Cremonese surprizon sërish, eliminon Roma-n dhe prek gjysmëfinalen e Kupës


Cremonese ka bërë surprizën e radhës në Kupën e Italisë. Pasi eliminoi Napoli-n ne raundin e të 16-ve, tashmë ka arritur të heq edhe Roma-n e Jose Mourinho-s.

Falë një fitore në shifrat 2-1 në transfertën e “Olimpico”, Cremonese është tashmë në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë.

Sfida nisi mirë për miqtë, të cilët arritën të gjenin golin e parë me anë të një 11 metërshi të realizuar saktë nga sulmuesi, Cyriel Dessers në minutën e 28.

Në pjesën e dytë, dyfishimi i rezultatit do të vinte në minutën e 49 falë autogolit të mbrojtësit të Roma-s, Zeki Celik.

Roma do të shënonte një gol të vonë në minutën e katërt shtesë të pjesës së dytë me Andrea Belotti-n, por pa mundur të merrte diçka më shumë nga kjo sfidë.

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla ishte pjesë e sfidës për 45 minutat e para të saj. Mourinho e zëvendësoi atë, së bashku me Christian Volpato, Gianluca Mancini dhe Bryan Cristane duke hedhur në fushë për pjesën e dytë katër lojtarë të tjerë. Megjithatë, kjo nuk i dha një rezultat pozitiv Roma-s në këtë ndeshje.

Në gjysmëfinale, Cremonese do të përballet me Fiorentina-n e cila u kualifikua më herët pasi mundi 2-1 Torino-n.

Gjithashtu në gjysmëfinale është edhe Inter-i. Zikaltrit u kualifikuan pasi mundën 1-0 Atalanta-n të hënën.

Sfida e fundit çerekfinale në Kupën e Italisë do të zhvillohet të enjten e 2 shkurtit duke filluar nga ora 21:00, ku Lazio pret Juventus-in. Fituesi i kësaj sfide përballet me Inter-in në gjysmëfinale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore