Kosova

Cramon falënderon Kosovën që nuk e pranoi gazin amerikan


Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon,

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e ka cilësuar si të drejtë vendimin e Qeverisë së Kosovës për refuzimin e projektit të gazit amerikan.

Ajo përmes një postimi në rrjetin social Twitter ka falënderuar Kosovën, duke shtuar se ky është “vendimi më miqësor ndaj mjedisit”.

“Faleminderit për vendimin më miqësor ndaj mjedisit, i cili është më i mirë për klimën tonë, për qytetarët tuaj dhe në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane”, ka shkruar Cramon.

Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë ditës së enjte ka bërë të ditur se Kosova nuk do të vazhdojë përpara me projektin për ndërtimin e infrastrukturës për gazjellësin në Kosovë, të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Rizvanolli këtë vendim e ka arsyetuar se “Kosovës i duhen më shumë informata për të qenë e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin tonë energjetik, ndërsa nga ana tjetër MCC-ja ka afate kohore strikte për zhvillim dhe nënshkrim të programit të kontaktit”.

“Përballë afateve kohore të MCC ne kemi vendosur të ecim tutje dhe të shfrytëzojmë investimin e alokuar për programin e kompaktit, për investime me risk më të ulët por që ndihmojnë Kosovën drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë dhe krijojnë kushte për zhvillim ekomomik dhe zhvillim të sektorit privat”, ka thënë Rizvanolli gjatë një konferncë për media.

Ajo ka thënë se gjatë muajve në vijim “do të vazhdojmë punën e përbashkët intensive me ekipin e MCC-së, në këtë drejtim dhe jemi mirënjohës MCC-së, qeverisë amerikane dhe agjencive amerikane për ndihmën teknike dhe financiare i kanë dhënë dhe vazhdojnë ti japin sektorit të energjisë së Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore