Lajme

Covid-19 në Pakistan/ Mbi 15 mijë të vdekur dhe mbi 700 mijë të infektuar


Pakistani, të mërkurën, kaloi shifrat e 15 mijë të vdekurve të lidhura me Covid-19, ndërsa qeveria përpiqet të parandalojë një valë të tretë të pandemisë.

Numri i përgjithshëm i rasteve arriti në 700 mijë e 188.

Autoritetet kanë vënë vatrat nxehta të viruseve nën bllokim, arrestuan dhjetëra njerëz për mos mbajtjen e maskave të fytyrës dhe mbyllën restorante dhe dyqane për shkeljen e kufizimeve.

Gjithashtu, të martën, ato vendosën të mbajnë shumicën e shkollave të mbyllura për tre javë të tjera.

Vendimi u mor pasi shkalla e pozitivitetit të atyre që u testuan për coronavirus-in arriti në 10%.

Më parë, në shkurt, Pakistani filloi vaksinimin duke përdorur vaksinën Sinopharm të Kinës.

Një studim, në fillim të vitit, kishte zbuluar se rreth gjysma e qytetarëve ishin skeptikë ndaj vaksinave dhe nuk shkonin për të marrë vaksinën.

Më vonë mijëra nxituan të inokuloheshin pasi një firmë private shpërndau Sputnik V të Rusisë, të premten e kaluar.

Dërgesa e parë me 50 mijë doza tashmë është rezervuar dhe objektet private mjekësore po presin për dërgesën tjetër.

Të hënën, autoritetet e reagimit pandemik thanë se një total prej 936 mijë e 383 dozave të vaksinave janë administruar deri më tani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore